Një dokument zyrtar i Degës së Doganës Fier ngre dyshime të forta për mosveprim dhe dështim të administratës doganore në mbledhjen e mbi 12.3 miliardë lekëve detyrime dhe penalitete ndaj kompanisë Bankers Petroleum Albania Ltd.
Në qendër të kësaj historie del emri i drejtorit të përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, i cili akuzohet për mosveprim në një nga dosjet më të rënda fiskale të viteve të fundit.
Sipas dokumentit, Dogana e Fierit ka shpallur kompaninë debitore për 3.095.566.890 lekë detyrim akcize dhe 9.286.700.670 lekë penalitete, duke e çuar faturën totale në mbi 12.3 miliardë lekë. Pavarësisht kësaj shume marramendëse, shteti ende nuk ka arritur të mbledhë detyrimet.
Shkresa zyrtare tregon se janë bërë njoftime, kërkesa për pagesë vullnetare, vendime për rikuperim me forcë dhe madje është siguruar edhe Urdhri i Ekzekutimit nga Gjykata Administrative e Lushnjës. Por në mënyrë absurde, kërkesa për ekzekutim nuk ka shkuar në përmbarim, pasi sipas dokumentit është dërguar gabimisht në sekretarinë e gjykatës “nga gabimi njerëzor”.
Ndërkohë, në vend që të ushtrohej presion për mbledhjen e plotë të detyrimeve, Dogana pranon se është lidhur një akt-marrëveshje vetëm për pagesën progresive të principalit, ndërsa penalitetet miliardëshe mbeten të pambuluara.
Dokumenti nxjerr në pah një administratë të paralizuar, ku dosjet sorollaten nëpër sekretari, aktet kthehen pas dhe urdhrat e ekzekutimit humbasin rrugës, ndërsa miliardat e shtetit mbeten të paarkëtuara.
Pyetja që shtrohet është direkte:
Pse Besmir Beja nuk po e çon deri në fund mbledhjen e këtyre detyrimeve? Kush po e mbron kompaninë nga përmbarimi? Dhe pse shteti tregohet i pafuqishëm përballë një borxhi miliardësh?
SPAK pritet të verifikojë nëse kemi të bëjmë me paaftësi administrative apo me një skemë të qëllimshme për të zvarritur arkëtimin e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar.

