Një tjetër tender me vlerë të lartë në Bashkinë Himarë po ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të parave publike. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e qendrës së fshatit Vranisht (Loti II), me një fond limit prej 40 milionë lekësh (400 milionë lekë të vjetra), një shumë që përmasat e investimit e bëjnë objekt interesi për çdo institucion kontrolli.
Tenderi u zhvillua me pjesëmarrjen e vetëm dy operatorëve ekonomikë dhe fitues u shpall bashkimi i operatorëve “T&J Construction” shpk dhe “Valona Konstruksion” shpk, me ofertë 38.8 milionë lekë pa TVSH, shumë shumë pranë fondit limit.
Lind pyetja: si justifikohet një investim prej 400 milionë lekësh të vjetra vetëm për rikonstruksionin e qendrës së një fshati? A është kryer një analizë e detajuar e kostove dhe a përputhet kjo shumë me punimet që do të realizohen?
Kur bëhet fjalë për fonde publike të kësaj përmase, transparenca nuk është zgjedhje, por detyrim. Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që organet kompetente, përfshirë SPAK-un nëse evidentohen elemente që hyjnë në juridiksionin e tij, të verifikojnë procedurën e prokurimit, përllogaritjen e fondit limit dhe zbatimin e kontratës, në mënyrë që të garantohet se çdo qindarkë e taksapaguesve është përdorur në përputhje me ligjin.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse 400 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e qendrës së një fshati përfaqësojnë një investim real dhe të arsyeshëm, apo një kosto që kërkon verifikim të plotë nga institucionet përgjegjëse.

