Një verifikim i dokumenteve zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) ngre dyshime se Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, mund të ketë favorizuar kompaninë ALBTrace Co, ku ka qenë pjesë e bordit drejtues, për të përfituar nga një projekt i rëndësishëm shtetëror që lidhet me pullat fiskale.
Dokumentet tregojnë se Beja ishte anëtar i Këshillit të Administrimit të ALBTrace Co kur u emërua në krye të Doganave më 28 janar 2026. Ai qëndroi në këtë detyrë në kompani edhe për rreth dy muaj pasi mori postin shtetëror, ndërsa largimi i tij u regjistrua zyrtarisht në QKB vetëm më 14 maj 2026.
Ndërkohë, më 13 maj 2026, qeveria miratoi VKM-në nr. 342, e cila i jep Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave përgjegjësinë për zbatimin e sistemit të pullave fiskale. Ky vendim krijon kushtet që ALBTrace Co të ketë rol në këtë proces.
Dyshimet lindin sepse Besmir Beja drejtonte institucionin që do të zbatonte këtë vendim, ndërsa vetëm pak javë më parë kishte qenë pjesë e organit drejtues të kompanisë që përfiton prej tij. Kjo ngre pikëpyetje nëse ai është tërhequr nga vendimmarrja apo ka ndikuar në një proces që favorizonte ish-kompaninë e tij.
Një tjetër element që bie në sy është se regjistrimi i largimit të Bejës nga bordi i ALBTrace Co u bë vetëm një ditë pas miratimit të VKM-së. Po atë ditë kur u miratua vendimi i qeverisë, kompania shleu edhe një gjobë administrative prej 60 mijë lekësh.
Këto rrethana kanë ngritur dyshime për një konflikt të mundshëm interesi dhe për favorizim të një kompanie private në një proces me rëndësi financiare për shtetin.
Tashmë pritet që institucionet përgjegjëse dhe SPAK të verifikojnë:
- nëse Besmir Beja ka deklaruar konfliktin e interesit;
- nëse ka marrë pjesë në hartimin ose miratimin e VKM-së nr. 342;
- dhe nëse janë respektuar rregullat ligjore për të shmangur çdo favorizim të ALBTrace Co.

