Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, në hapje të seancës për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ka bërë me dije se një prej anëtarëve të KLP, Esmeralda Keshi, nuk do të jetë e pranishme në seancë.
Mësohet se Keshi nuk ka arritur të jetë e pranishme për shkak të një konflikti interesi duke qenë se bashkëshorti i saj konkuron për Oficer i Policisë Gjyqësore në Spak.
Ndërkohë, të pranishëm në seancë janë përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, të cilët kanë mbërritur për të monitoruar nga afër procesin e votimit.
Sot po mbahet seanca për zgjedhjen e kreut të SPAK. Tre kandidatët në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani.
Në fjalën e tij para anëtarëve të KLP, Xholi prezantoi kandidaturën e tij teksa theksoi se nuk ka konflikt interesi. Ai tha se mendon se ka ardhur koha që tashmë trupa e SPAK të bëjë hapa të mëtejshëm cilësorë në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.