Ukraina njoftoi se ka pranuar një “draft plan” nga Shtetet e Bashkuara, që synon të përfundojë luftën me Rusinë. Kjo u konfirmua nga presidenca ukrainase, e cila theksoi gatishmërinë për të punuar “në mënyrë konstruktive” me SHBA-në për realizimin e këtij plani. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky planifikon të diskutojë detajet e planit me homologun e tij amerikan Donald Trump në ditët në vijim.
Deklarata e presidencës thekson se Zelensky ka identifikuar parimet thelbësore për popullin ukrainas dhe do të punojë për një fund dinjitoz të luftës. Ukraina ka kërkuar paqe që prej fillimit të pushtimit rus dhe mbështet çdo propozim të kuptimshëm që mund të çojë në arritjen e saj. Për këtë qëllim, Ukraina ka mbështetur propozimet e Trumpit për të ndaluar gjakderdhjen.
Megjithatë, disa zyrtarë të Kievi e kanë kritikur propozimin SHBA-Rusi si “absurd” dhe të “papranueshëm”. Ata theksojnë se plani, i hartuar nga një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin dhe një dërguar special i Trumpit, është një “provokim” për të çoroditur aleatët e Ukrainës. Oleksandr Merezhko, kreu i komitetit parlamentar të politikës së jashtme, shprehu dyshime mbi gatishmërinë e Kremlinit për negociata serioze, duke sugjeruar se Putin po kërkon të fitojë kohë për të shmangur sanksionet e SHBA-së. Zëvendësministri i Jashtëm, Sergiy Kyslytsya, e vlerësoi iniciativën si jorealiste.
Ky zhvillim vjen në një kohë delikate për Ukrainën, që ende përballet me agresionin rus. Kjo tregon se, pavarësisht sfidave, Ukraina është e angazhuar për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe për të punuar së bashku me Amerikën dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të siguruar stabilitetin dhe paqen në rajon.















