Bosi më i kërkuar i mafias në Itali, Matteo Messina Denaro është arrestuar në Siçili pas 30 vitesh në arrati. Messina Denaro raportohet se u arrestua në një klinikë private në kryeqytetin e Siçilisë, Palermo, ku po merrte trajtim për kancer.
Ai supozohet të jetë bosi i mafies famëkeqe ‘Cosa Nostra’ dhe ishte gjykuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë në vitin 2002 për vrasje të shumta.
Më shumë se 100 pjesëtarë të forcave të armatosura u përfshinë në arrestimin e tij. Mediat italiane raportuan se Messina Denaro u kap pak para orës 10:00 dhe u dërgua në një vend sekret nga karabinierët. Ai thuhet se po vizitonte klinikën me një emër të rremë për të marrë trajtim me kimioterapi.
Një video e shpërndarë nga mediat italiane tregon njerëzit që qëndrojnë në rrugë dhe duartrokasin policinë italiane pas arrestimit të Denaros.
Këto janë disa nga vrasjet për të cilat është dënuar:
– vrasja e vitit 1992 e prokurorëve antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino,
– sulmet vdekjeprurëse me bomba të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë,
– rrëmbimi, torturimi dhe vrasja e djalit 11-vjeçar të një dëshmitari të penduar të mafias.
Messina Denaro dikur mburrej se mund të mbushte një varrezë me viktimat e tij. Bosi i mafies po ashtu mbikëqyrte organizatën e fuqishme mafioze ‘Cosa Nostra’, e cila merrej me shantazh, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Ai thuhet se ishte protezheja e Toto Riina, kreut të klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati.
Klanet ia kishin vënë nofkën ‘Diaboliku’- emri i një hajduti të pakapshëm në një seri me libra komikë. Ai mendohet se ishte ‘sekret-ruajtësi’ i fundit i Cosa Nostra-s. Shumë informatorë dhe prokurorë besojnë se ai mban të gjitha informacionet dhe emrat e atyre që janë përfshirë në disa nga krimet me profil më të lartë të mafies, përfshi këtu edhe bombat që vranë magjistratët Falcone dhe Borsellino.
Megjithëse Messina Denaro ishte i arratisur që nga viti 1993, mendohej se ai ende u jepte urdhra vartësve të tij nga vende të ndryshme sekrete. Gjatë dekadave, hetuesit italianë iu afruan shpesh arrestimit të tij, duke monitoruar njerëzit e afërt.
Kjo rezultoi në arrestimin e motrës, Patrizia dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në vitin 2013. Policia sekuestroi gjithashtu biznese të vlefshme të lidhura me Denaron, duke e lënë atë gjithnjë e më të izoluar.
Megjithatë ekzistonin shumë pak foto të Denaros dhe policia duhej të mbështetej te kompozimet dixhitale për të rindërtuar pamjen e tij për dekadat kur ishte në arrati. Një regjistrim i zërit të tij nuk u publikua deri në vitin 2021.
Në shtator të vitit 2021, një tifoz i Formula 1 nga Liverpuli u arrestua në një restorant në Holandë pasi u ngatërrua me Messina Denaron. Italianët u ngujuan përpara ekraneve mëngjesin e të hënës kur u përhap lajmi për arrestimin e bosit të mafies.
Për vite me radhë, Messina Denaro kishte qenë një simbol i paaftësisë së shtetit për të arritur në nivelet e larta të sindikatave të krimit të organizuar.
Arrestimi i tij do të jetë një shenjë e papritur shprese se mafia mund të çrrënjoset edhe në rajonet jugore të vendit, ku shteti perceptohet kryesisht si i munguar dhe joefektiv.
Profesoresha e kriminologjisë në universitetin e Essex-it, Anna Sergi, tha për BBC se arrestimi i Messina Denaros ishte ‘simbolik jo vetëm për shkak se ai ishte bosi i Cosa Nostra-s, por sepse ai përfaqësonte të arratisurin e fundit që shteti italiane donte ta kishte në duart e tij me të vërtetë’.
Ajo tha se arsyeja pse njerëzit duartrokitën në Palermo dhe shteti u ndje triumfues, ishte sepse lajmi dukej sikur mbyllte një kapitull.
Megjithatë, ka të ngjarë që të lindin pyetje në lidhje me kohën e arrestimit. Profesoresha Sergi sugjeroi se ishte ende e paqartë si ndodhi bastisja e mëngjesit në klinikë, kush informoi autoritetet dhe më e rëndësishmja, si ishte e mundur që Messina Denaro, ‘lëvizte lirisht nëpër Siçili, mesa duket i mbrojtur, prej 30 vitesh’.
Messina Denaro po trajtohej për kancer, kështu që ishte mjaft i sëmurë, thotë ajo, duke shtuar se njerëzit po spekulojnë nëse dikush në botën e krimit kishte vendosur se ai nuk ishte më i dobishëm.
“Kjo do të thotë se ai ka të ngjarë që të jetë ende pjesë e strukturës ku ka një shkëmbim favoresh mes mafies dhe shtetit, dhe ku dikush mund të dorëzohet në këmbim të diçkaje,” shpjegon ajo.
Por në një konferencë për shtyp të hënën pasdite, karabinierët hodhën poshtë se kanë marrë informacione për vendndodhjen e Messina Denaros dhe theksuan punën e palodhur të hetuesve që gjurmuan bosin e mafies në një operacion ‘të mundimshëm dhe jashtëzakonisht delikat’.
Autoritetet thanë se Messina Denaro nuk u përpoq të arratisej kur e kuptoi se operacioni po ndodhte dhe se ai pranoi se ishte njeriu që karabinierët po kërkonin sapo iu afruan.
Ata thanë gjithashtu se i arratisuri dukej i mbajtur, i veshur mirë dhe me rroba të shtrenjta: “Sigurisht nuk gjetëm një njeri të rrënuar, ishte i mbajtur dhe në kushte të mira ekonomike”.
Gjenerali Pasquaje Angelosanto i njësisë së forcave speciale ROS tha se Messina Denaro kishte në dorë një orë Rolex me vlerë 35 mijë euro, në momentin kur u arrestua.
“Natyrisht që mafia nuk është mposhtur dhe do ishte gabim të mendohet kështu,” tha Prokurori i Përgjithshëm i Palermos, Maurizio de Lucia.
De Lucia u tha gjithashtu gazetarëve se Messia Denaro i kishte kaluar tri dekadat e fundit duke u fshehur në vende të ndryshme të Italisë, së fundmi në Siçili.
Pas arrestimit, vërshuan reagimet e shumta nga spektri politik. Gian Carlo Caselli, një gjykatës dhe ish-Prokuror i Përgjithshëm, tha se arrestimi i Messina Denaros ishte një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike ‘e cila mund të çojë në zhvillime të rëndësishme për hetimet e vazhdueshme mbi sulmet me bomba të vitit 1993, që vranë 10 njerëz në të gjithë Italinë’.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, vëllai i të cilit, Piersanti u vra nga Cosa Nostra në vitin 1980, uroi ministrin e Brendshëm dhe policinë ushtarake të karabinierëve.
Kryeministrja Giorgia Meloni udhëtoi sot në Siçili dhe vizitoi memorialin e Giuseppe Falcone-s dhe viktimave të tjera të bombave të vitit 1992 pranë Palermos, ku mbajti një minutë heshtje.
Meloni gjithashtu falënderoi forcat e armatosura për punën e tyre në arrestimin e pjesëtarit më të rëndësishëm të grupit kriminal mafioz, duke shtuar: “Kjo është një fitore e madhe për shtetin”./BBC