Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një grua 25-vjeçare është arrestuar për mbytjen e dy fëmijëve të porsalindur dhe vrasjen e një foshnje tjetër në vitin 2022. Ajo akuzohet për fshehjen e trupave të fëmijëve në një dollap. Autoritetet kanë vendosur për të një arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike, ndërsa i dashuri i saj është nën hetim për ndihmë dhe inkurajim në kryerjen e krimeve.
Ngjarja shpërtheu në korrik 2024, kur nëna e 25-vjeçares, pasi ndjeu një erë të papastër në shtëpi, kontrolloi dhomën e vajzës dhe zbuloi dy trupa foshnjash të mbështjellë me batanije. Ajo njoftoi menjëherë policinë, e cila nisi hetimet.
Provat përmbyllëse erdhën përmes kamerave të sigurisë, të cilat konfirmuan se nëna kishte qenë vetëm në shtëpi nga ora 19:00 deri në 20:30 më 8 korrik, periudhë kur dyshohet se ndodhi lindja dhe mbytja e fëmijëve. Hetuesit zbuluan gjithashtu informacione kritike në Poliklinikën e Mesinës, ku ajo kishte kryer një kyretazh pas një gjakderdhjeje të rëndë. Analizat biologjike konfirmuan se fëmijët kishin lindur të gjallë, ndërsa vdekja e tyre ishte shkaktuar nga mbytja.
Gjatë qëndrimit të saj në spital, ajo kishte mohuar të kishte qenë shtatzënë, pavarësisht shenjave fizike dhe gjakderdhjes së rëndë. Një hetim i mëtejshem zbuloi një episod në vitin 2022, ku çifti kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me një shtatzëni të padëshiruar. Bisedat e zbuluara në celular sugjerojnë se ajo kishte lindur atëherë dhe dyshohet se kishte marrë jetën e foshnjës së tretë, duke e fshehur atë ngjarje.
Hetimet për këtë rast të rëndë vazhdojnë, dhe autoritetet janë të angazhuara për të zbuluar nëse ka pasur persona të tjerë që kanë ndihmuar në fshehjen e këtyre krimeve.