KURBIN- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 67-vjeçarit Dod Mamli në afërsi të banesës së tij në fshatin Zhejë të Laçit. Në lidhje me ngjarjen mësohet se janë shoqëruar mbi 10 persona të cilët janë marrë në pyetje nga policia. Personat e pyetur janë kryesisht banor të zonës, por dëshmia e tyre nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes.
Policia po monitoron të gjithë masivin pyjor përreth vendit të ngjarjes, në kërkim të autorëve dhe ndonjë gjurme të lënë prej tyre. Më tej bëhet me dije se nga ekspertiza mjeko-ligjore rezulton se viktima ka një plumb në kokë dhe disa të tjerë në gjoks, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.
Viktima u gjet nga dy banorë të zonës që po zbrisnin poshtë nga mali dhe menjëherë njoftuan policinë. Familjarët kanë dëshmuar e viktima kishte folur me të vëllanë që ndodhet jashtë vendit rreth orës 16:00 të pasdites dhe mendohet se krimi të ketë ndodhur vetëm pak minuta më vonë.
Grupi hetimor ka sekuestruar telefonin e viktimës si dhe po bën këqyrjen e mjetit te 67-vjeçarit. Pista kryesore e vrasjes dyshohet të këtë ndodhur për hakmarrje, pasi dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik Mamli, dhe Tom Mamli, kanë vrarë në vitin 2015 një person të quajtur Naim Tafa në Mamurras. Pista tjetër është edhe ajo e një konflikti të mundshëm pronësie pasi 67-vjeçari po hapte një tokë në zonën e pyllëzuar ku edhe u gjet i vrarë.