Skerdi Tase, i njohur si pjesë e grupit të vrasësve me pagesë të Nuredin Dumanit, ka dëshmuar këtë të martë për herë të parë në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Skerdi Tase, në procesin “Plumbi i artë”.
Më herët kanë dëshmuar në këtë proces të penduarit Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.
Pyetet nga prokurori i SPAK-ut, Behar Dibra, për atentatin në vitin 2017 ndaj tregtarit të naftës Aredin Behari.
Skerdi Tase: “Me Henkrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët. Ky shtetas Viron Tavanxhiu na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje të këtij personi.
Ditën e ekzekutimit Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë “Pse po e vononi atë punë?” I shkuam në lokal për ta qëlluar, por u fut poshtë tavolinës e më pas brenda në lokal. Nuk u futa më tej se isha pa doreza.
Vironi më ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit po në qytetin e Fierit. U realizuan veprimet në vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bërë planet.
Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin”.
Skerdi Tase: “Kam punuar edhe teknik në një televizion në Fier për 1 vit. Shokët që kisha, banakier, kamarier. Ishte dhe Armando Mita njëri prej tyre. Kam pasur shokë fëmijërie që jam rritur. Pas atentatit ndaj Abedinit, bëmë debate me Henrikun, se personi që e kishte porositur ishte thirrur në polici.
Henriku më thoshte ç’punë ka ai kur ne s’e kryem dot. Quhej Albert Pashaj, me sa mësuam më vonë se në atë kohë s’e dija.
Henriku ishte pyetur për këtë gjë. Personi që iu bë atentati kishte treguar se ku dyshonte. Me Henrikun pothuajse takohesha përditë. Deri në ato momente nuk dija asgjë për Henrikin, Vironi më kishte treguar që merret me atentate.
Vironi në atë kohë ishte në kërkim për një vrasje në Itali. Dija që merrej me prostitucion me drogë. Vironi edhe pse ishte në kërkim nga Interpoli, nuk ruhej aq shumë, sepse kishte njohjet e veta në Policinë e Shtetit, të cilat e njoftonin.
Te lokali i Gent Xhaferrit takoheshim me Vironin. Vironi kërkonte të më takonte, deri në 2016 ndodhesha në Itali, ishte koha e hashashit dhe më kërkon Vironi. Kam qëndruar diku te 3-4 muaj në Itali. Nuk pata bërë punë atje. Kam qenë tek një shok. Vironi kërkonte kontakt te shtëpia ime.
Vajta për të bërë letrat, por s’i bëra dot. U ktheva se Vironi kishte shkuar te shtëpia ime dhe më kishte kërkuar ta ndihmoja për një punë. Kur u ktheva, më tha më ndihmo se kishte mbjellë hashash.
Mbaj mend që Henriku kishte marrë porosi nga një person që quhej Renato Salihu. Henriku mbante kontakte me Tarjon dhe Renaton. Unë bashkë me këto persona nuk kam qenë, por i kam të dëgjuar”.