Operatorët turistikë në Vlorë parashikojnë një sezon veror të suksesshëm, duke theksuar se nga marsi kanë pasur një rritje të konsiderueshme të prenotimeve. Kjo rritje e kërkesave për pushime në Shqipëri, sipas operatorëve, është ndikuar nga situata në Lindjen e Mesme, ku shumë turistë, të cilët kishin planifikuar të pushonin në Turqi, janë orientuar drejt bregdetit shqiptar pas anulimeve masive në atë destinacion dhe në vende të tjera.
Operatorët vlerësojnë se ky transferim i interesit ka sjellë një rritje të menjëhershme të kërkesës për akomodim në Vlorë, duke kontribuar në një sezon më të mirë turistik. Çmimet në Shqipëri, sipas tyre, mbeten konkurruese krahasuar me ato në rajon, gjë që e bën bregdetin shqiptar një alternativë tërheqëse për turistët.
Përveç fluksit të turistëve gjatë sezonit veror, operatorët po vërejnë gjithashtu një prani të vazhdueshme të vizitorëve edhe jashtë sezonit. Një faktor kyç që pritet të ndikojë në bumin turistik është vënia në funksion të aeroportit të Vlorës, i cili do të lehtësojë aksesin dhe do të rrisë numrin e turistëve që vizitojnë këtë qytet bregdetar.
Kështu, duke u mbështetur në rritjen e kërkesave dhe funksionimin e infrastrukturës, operatoret shprehin optimizëm për sezonin turistik që pritet të sjellë më shumë vizitorë dhe zhvillim ekonomik për rajonin.















