Pas krushqisë me ish prokurorin Shkëlqim Hajdarin, vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli kanë shtrirë tentakulat drejt Tiranës, duke blerë televizionin ABC.
Njëri nga vëllezërit, Blerim Devolli, është vjehrri i Arbër Hajdarit, i cili ka deklaruar vilë që 19 vjeç, është përfitues i 50 milionë lekëve nga Ministria e Bujqësisë për një fermë që e mbylli brenda vitit, përfitues i pronave publike, dhe që pastron prej vitesh paratë me Fundjavën Ndryshe.
Dyshohet se Arbër Hajdari, u sajua si biznesmen sapo mbaroi shkollën e mesme, me paratë e korrupsionit të babait si ish prokuror, Shkëlqim Hajdari. Pasi u largua nga drejtësia, Rama e emëroi Hajdarin kryeinspektor të Përgjithshëm, një organ publik i përfshirë në abuzime serioze.
Ndërkaq, Grupi Devolli është një nga sipërmarrësit e mëdhenj, që vepron në shkallë të gjërë nga bujqësia e deri tek ushqimi i përditshëm, kafeja, industria e lehtë dhe tekstile.
Ata janë përfitues koncensionesh dhe taksash të shqiptarëve të Kosovës. Albin Kurti ka denoncuar monopolin ekonomik që ka krijuar në vend Korporata e Devollëve në Kosovë, edhe pse ata paguajnë deputetë të qeverisë.
Një prej tyre njihet në Kosovë për arrogancën që tregoi me gazetarët kritikë të tij, kur duke shkelur çdo rregull e ligj, ku publikoi postera gjigande me fyerje për Berat Buzhalën e Margarita Kadriun.
Për këtë skandal të madh nuk i hyri një gjemb në këmbë. Ka përprahur fort Hashim Thaçin, e për interes të tij mbështeti operacionin e përçarjes së lëvizjes Vetëvendosje, ku një pjesë e saj me Shpend Ahmetin e Visar Ymerin më pas u larguan nga lëvizja.
Para pak kohësh, Devollët pritën Edi Ramën në Kosovë me tam-tame, për të treguar karshillëk ndaj Albin Kurtit, për të cilin çfarë nuk bënë për t’ju afruar, shkarkuan Batonin, tentuan ta joshnin kryeministrin e Kosovës, duke ju ngjitur politikanëve nga Vetëvendosja, por Albini nuk ua vari.
Për t’u ngjitur sa më shumë me Edi Ramën, me qëllim për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, Devollët i blenë Klod Allajbeut televizionin ABC, për ta vendosur në dispozicion të qeverisë.
Në këto rrethana, disa ditë më parë, Sali Berisha u bëri thirrje të mos e vinin televizionin në shërbim të pushtetit, pasi do të përballeshin me pasoja shumë serioze.
“Unë i bëj thirrje atij pronari, dhe u bëj thirrje pronarëve të ABC që të ruajnë integritetin e medias së tyre, sikundër i bëj thirrje pronarit, që nëse do e shndërrosh në altoparlant të Endri Fugës dhe Edi Ramës, do përballesh me pasoja shumë serioze. Në një kohë gjashtëmujore ai vendos nën terror tre media, që informonin dhe përbënin rrjete anticensurë. Nuk them se kanë pasur politika editoriale në favorin tonë, por censurën nuk e pranojmë”, tha Berisha.
Paralajmërimi i Berishës, gjithsesi i paranueshëm dhe që tregon mentalitetin e tij për lirinë e meduas, është sfiduar nga Devollët. Në ABC është krijuar një klimë tensioni dhe pasigurie.
Emisionet kritike ndaj pushtetit janë mbyllur menjëherë dhe paparajmërim.
Gazetari Endri Xhafo, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se emisioni i tij “Log.” nuk do të transmetohet më në “Abc”.
“Sot paradite m’u komunikua se, me efekt të menjëhershëm, emisioni LOG. ndërpritet. Pra, për nesër, ditë e martë, duhet të njoftojmë të ftuarit të mos vijnë. Arsyeja zyrtare: Ristrukturim programor i ABC-së. Çështja është se me situatën aktuale të ABC-së faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh. U daltë për hajër!”, tha Xhafo.
Emisioni i radhës që “i hiqet sinjali” i transmetimit është emisioni “Vetting” dhe këtë gjë e ka bërë me dije gazetarja Luli Progni.
Krahas mbylljes së emisioneve kritike, po planifikohen emisione me linjë pro qeverisë.