THETH- Banorët e Thethit protestuan ditën e sotme kundër shembjes së strukturave që kanë ngritur në tokën e tyre. Ata bllokuar për rreth dy orë urën që të çon në fshatin turistik.
Një prej banorëve të zonës, i përlotur ka rrëfyer duke qëndruar para gomave të një prej fadromave se shtëpitë që ka ndërtuar nuk përmbajnë beton, por janë vetëm prej druri. Ai u shpreh se është në borxhe dhe i bën thirrje shtetit, institucioneve të vendosin dorë.
“I bëj thirrje shtetit, institucioneve të vendosin dorë. Më mirë të vdes. Le të vijnë t’i shohin, janë prej druri dhe duan t’i prishin, jam futur në kredi. U bëj thirrje kryeministrit, Edi Ramës, Benet Becit. Ju lutem. Unë jam i vdekur. Jam në borxh për të ndërtuar 5 shtëpi druri, ku të mbytem unë? Më mirë të vdes dhe unë”, u shpreh ai.
Çfarë po ndodh në Theth?
Në Theth ka nisur një perplasje mes autoriteteve policore dhe banorëve të zonës, për shkak të urdhërit të kryeministrit Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje. Banorët kanë kundërshtuar këtë urdhër, duke kërkuar dialog mes tyre dhe shtyrje të afatit deri në përfundim të sezonit turistik. Por këto kërkesa të banorëve, duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi IKMT po vijon me shembjen e strukturave pa leje. Në këto kushte, banorët në shenjë proteste kanë paralajmëruar se do të mbyllin fare bujtinat./