Nga gazetari Bekim BICI
Bovilla është një nga fshatrat më piktoreskë të Tiranës, pjesë e njësisë Administrative Zall Herr. Fshati gjendet rreth 18 kilometra nga qendra e kryeqytetit dhe ka tërhequr mijëra tursitë në vitet e fundit.
Atraksioni më i madh i kësaj zone është liqeni, i cili u formua rreth 15 vjet më parë në pjesën e sipërme të lumit të Tërkuzës, të vendosur midis dy vargmaleve, Krujë – Dajt dhe Skënderbe – Mali me Gropa, hapësirë e shtrirë në zonat e Krujës dhe Tiranës.
Ujëmbledhësi është formuar nga prerja e lumit Tërkuza me një digë 81 m të lartë, në grykën e Zall Herrit. Prej vitit 1998, ujëmbledhësi i Bovillës është furnizuesi kryesor me rreth 50% të gjithë konsumit të ujit të pijshëm për qytetin e Tiranës dhe gjithë zonën e banuar për rreth.
Zona përreth Bovillës ka një bukuri mahnitëse me ujëvarën e Bovillës, grykën e Bovillës dhe shkëmbinjtë përreth. Shumë agjenci dhe operatorë turistikë e shfrytëzojnë këtë reliev për kacavjerrje dhe ngjitje në shkëmbinj. Në itineraret e tyre marrin pjesë përveç të rinjve edhe mjaft turistë të apasionuar pas natyrës dhe aventurës.
Por për të ardhur në këtë bukuri nuk është aq e thjeshtë sa duhet të ishte, për një largësi vetëm 19 kilometra nga Tirana.
Nga Rruga e shtruar dhe me standarde optimale nuk zgjat shumë, ajo na shoqëron nga qendra e Zall Herrit tek rezidenca e ndërtuar për të strehuar të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Me të mbërritur në këtë fshat të ri me kushtet infrastrukturore të cilësisë së vendeve evropiane, përballemi edhe me një tjetër realitet.
Pasi lëmë pas këtë fshat të ri me shumë pikëpyetje në kokë, vetëm 50 metra shohim një anë tjetër të medaljes. Rrugë në kushte të mjerueshme e pluhur që vetëm të një vendi aspirant për në Bashkimin Europian nuk të ngjajnë.
Rreth 100 metra nga ky fshat na shfaqen edhe shtëpitë e para buzë rrugës tërësisht të amortizuar.
Por krahas banorëve që ngurronin të flisnin për kamerën, doli një guximtar dhe me rrudhat që tregojnë peshën e vuajtjes, tregon për atë me të cilën përballet çdo ditë.
Pas kësaj ndalese përballemi me parcela të shumta, të gjitha të mbjella, por të mbuluara nga pluhuri, i cili dëmton cilësinë e këtyre produkteve.
Shqetësimi shfaqet qartë edhe nga banori ‘guximtar’ për të treguar hallet e tij.
Por problemi sipas banorëve është edhe më i thellë. Nuk bëhet fjalë për një rrugë thjeshtë të amortizuar, por për një rrugë që vijon e dëmtohet vazhdimisht nga kompanitë e guroreve që vitet e fundit po ‘hanë’ me eskavatorët dhe lavatriçet e tyre pak nga pak malet në të dy anët e rrugë.
Vijojmë më tej midis grykës së Bovillës, një pamje magjepsëse, por që pak nga pak po shkatërrohet nga këto gurore, nën hundët e shtetit.
Me të ngjitur rrugën gjarpëruese mbi digën e Liqenit të Bovillës, përballemi me ‘ylberin’ e mrekullueshëm të Liqenit me një ngjyrë magjepsëse në një anë, vargmaleve dy Krujë – Dajt dhe Skënderbe – Mali me Gropa, rrugës gjarpëruese e shkëmbinjve në anën tjetër.
Ngjitja për në malin shkëmborë të Bovillës është një tjetër adrenalinë, që tashmë prej rreth 2 vitesh është bërë më e lehtë edhe për fëmijët, e kjo si rezultat i një investimi nga një biznes privat.
Teksa ngjitemi për në malin shkëmbor të Bovillës, hasim turistët e parë, e më pas në vetëm 30 minuta qëndrim në këtë atraksion mahnitës ndeshëm turistë nga 5 kombe të ndryshme, Franca, Maroku, Holanda e Sllovenia, të cilët shfaqen të mrekulluar nga pamjet spektakolare që Bovilla të dhuron.
Ashtu si për çdokënd tjetër, mikpritja dhe ngrohtësia që shqiptarët dhurojnë zënë një vend të veçantë, pa lënë pas kulinarinë.
Por gjithçka ndryshon kur turistët i pyesim për infrastrukturën. Të mrekulluar nga natyra e mikpritja, ngrenë supet dhe shfaqin hapur keqardhjen e tyre.
Në një distancë që në normalitet do të përshkruhej në jo më shumë se 25 minuta, turistëve u duhet që të rropaten për më shumë se një orë në rrugët me gropa, me pluhur e baltë. Njëherësh ndërmend të vijnë akse rrugore në të cilat qeveria nuk është kursyer, duke dhënë më shumë se 20 milionë euro për një kilometër rrugë. Por përballë këtij realiteti, ndodhet Njësia Administrative Zall Herr, e fshati Bovillë, ashtu si edhe shumë fshatra të tjerë të kryeqytetit, ku shteti duket inekzistent, jo vetëm për të vënë dorën në këto rrugë, por edhe për të kontrolluar ata që po shkatërrojnë këto pamje magjepsëse. Për ironi, ashtu siç edhe na pritën, kamionët e shkatërrimtarëve të mrekullisë së Zotit, janë ata që nga përcjellin edhe në kthim.