Koment nga Timoni.al
Kur një shtet bie në dorë të bandave, nuk ndodh brenda natës. Ka gjithmonë një “ushtar” që përgatit terrenin. Një njeri që luan rolin e urës midis krimit dhe pushtetit, që e shet veten si ‘i besuar’ për të katapultuar njerëzit e grupit kriminal në pozicione kyçe të shtetit. Në rastin konkret, ai “ushtar” ka emër: Ulian Shpataraku.
Ky është personi që u fut garant te “Troplinët” për t’i shitur Edi Ramës emrin e Ilir Prodës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Një vendim që do të ishte qesharak, nëse nuk do të ishte kaq tronditës dhe i rrezikshëm për rendin publik dhe shtetin shqiptar. Sepse kur drejtori i Policisë zgjidhet me garanci nga një njeri i njohur për lidhjet e tij me bosin e krimit në Elbasan – atëherë është e qartë: Policia nuk është më institucion shtetëror. Është vegël e krimit të organizuar.
Ulian Shpataraku nuk është një emër rastësor që doli nga hiçi. Ky është një individ me një dosje të zezë, që përfshin pezullime nga detyra, akuza për shpërdorim detyre, dhe lidhje me emra të përfolur të krimit. U pezullua nga AMP pasi liroi një të kërkuar për drejtësi – Endri Filjan – një veprim flagrant, i motivuar politikisht dhe kriminalisht. Dhe sot, ky njeri jo vetëm që është kthyer në polici, por edhe komandon Elbasanin – një nga zonat më të ndjeshme për trafikun, votat dhe pushtetin lokal.
Për çfarë shërben Ulian Shpataraku në Elbasan? Jo për të luftuar krimin, por për të garantuar vota për kandidatët e lidhur me krimin, siç është rasti i Sara Miles, kandidate e PS-së që, sipas denoncimeve, ka si mbështetje të drejtpërdrejtë grupin e Elbasanit. Dhe kush e shtyn përpara fushatën e saj? Po i njëjti Shpatarak që duhet të garantonte ligjin, por sot shantazhon, kërcënon dhe blen vota me të njëjtin model që e bëri “garant” te Troplinët.
Emërimi i Ilir Prodës nga Edi Rama me garancinë e këtij “ushtari” është poshtërimi final i Policisë së Shtetit. Jo vetëm që nuk u emërua një profesionist, por u zgjodh një individ që i detyrohet besnikërinë një njeriu të krimit, një “polici të zhytur në baltën e pisllëkut të bandave”. Ilir Proda, në vend që të ndëshkonte krimin, e shpërbleu atë. Dhe si shpërblim të parë, riktheu Shpatarakun në detyrë dhe e vuri drejtor në qytetin që kontrollohet nga krimi. A nuk është kjo dëshmi e qartë se Policia është vënë në funksion të interesave të bandave?
Ulian Shpataraku përfaqëson gjithçka që ka shkuar keq në Shqipëri: kapjen e shtetit, kriminalizimin e institucioneve, zhbërjen e ligjit, përdorimin e Policisë si zgjatim elektoral të partisë në pushtet. Ai nuk është thjesht një individ i inkriminuar – është simboli i një sistemi të kalbur, ku besnikëria ndaj bandës është më e rëndësishme se ligji, dhe ku “ushtarët” si ai ngjiten lart duke shtypur çdo parim të shtetit të së drejtës.
Në çdo vend normal, Shpataraku do të ishte para drejtësisë. Në Shqipëri, ai bën emërime në polici. Në çdo sistem të shëndoshë, Ilir Proda do të jepte dorëheqjen për lidhjet me të. Në Shqipëri, ai merr urdhra nga ai që e bëri “drejtor”.
Kjo është fytyra e vërtetë e Policisë së Shtetit sot – e komanduar nga krimi, me garant Suelin dhe zëdhënës Shpatarakun. Nëse kjo nuk përbën alarm kombëtar, atëherë çfarë tjetër duhet të ndodhë që ky popull të kuptojë se Shqipëria nuk po qeveriset më – ajo po trafikohet nga brenda vetë institucioneve.
Si u pezullua nga detyra Ulian Shpataraku?!
ELBASAN- Zbulohen detaje të reja nga pezullimi nga detyra i dy nënkomisarëve të policisë së Elbasanit. Burime për portalin Timoni.al bëjnë me dije se në 31 Janar 2023 është ndaluar nga Policia e Elbasanit shtetasi i shpallur në kërkim Endrit Filja. Ky i fundit është arrestuar nga pikërisht Ulian Shpataraku dhe më pas është shoqëruar në Komisariatin e Elbasanit.
Aty Shpataraku ka marrë një deklaratë nga i shoqëruari në emër të specialistes Sovjona Kapllanaj, e cila ka firmosur pa ditur çfarë përmbante deklarata e tij. Kur në fakt, Filja ishte në kërkim për përshtatjen e lokalit për përdorim droge, neni 285/a i kodit të procedurës penale, e cila dënohet deri në 5 vite.
Po ashtu, bëhet me dije se pasi kanë marrë dëshminë Filjas, asnjë nga dy efektivët nuk e kanë njoftuar Prokurorinë, e cila kishte dosjen e këtij personi të kërkuar. Po ashtu, nuk e kishin raportuar as në regjistrin e personave që hyjnë në Drejtorinë e Policisë dhe as në regjistrin e të shoqëruarve.
Si pasojë, sot Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka bërë me dije se nga detyra janë pezulluar nënkomisari Ulian Shpataraku, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe nënkomisarja Sovjona Kapllanaj, 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve.