Një 60-vjeçar britanik është akuzuar për shkelje të ligjeve të krimit kibernetik në Dubai, pasi dyshohet se ka filmuar raketat iraniane që po shfaqeshin mbi qytet. Sipas organizatës “Detained in Dubai”, e cila ofron ndihmë ligjore për individët e ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai është ndaluar për publikimin e materialeve që mund të cenonin sigurinë publike.
Radha Stirling, drejtoresha e organizatës, njoftoi se britaniku është akuzuar me rreth 20 persona të tjerë, pasi policia zbuloi një video në telefonin e tij që dyshohet se tregon një sulm me raketa ndaj Dubai-t. Ajo shprehu shqetësimin se akuzat ndaj të ndaluarve janë “shumë të paqarta” dhe se dokumentet zyrtare nuk sqarojnë se çfarë shkelje specifike janë kryer.
Stirling sugjeroi se autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kenë vepruar për të ruajtur imazhin e vendit si një destinacion të sigurt për turistët, duke pasur parasysh se kritika ndaj qeverisë është e paligjshme. Dubai ka ndërtuar prej vitesh një reputacion si një vend luksoz dhe tërheqës për të huajt.
Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë vazhduar për shkak të sulmeve që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë realizuar ndaj Iranit që nga 28 shkurti. Irani ka reaguar duke vazhduar sulmet ndaj Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, duke goditur gjithashtu edhe objekte civile dhe energjetike. Këto përplasje kanë pasur pasoja të ndjeshme në Dubai, ku disa ndërtesa të njohura, përfshirë hotelin Fairmont The Palm dhe Burj Al Arab, janë dëmtuar.
Konflikti gjithashtu ka shkaktuar ndërprerje të fluturimeve në shumë vende të Lindjes së Mesme, duke rritur shqetësimet lidhur me sigurinë në rajon.















