Një situatë e pazakontë po raportohet orët e fundit në Vlorë, rreth 20 fëmijë polak, që vizitojnë Shqipërinë, kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe dyshohet se janë helmuar nga ushqimi.
Drejtoresha e Spitalit të Vlorës tregon, se të rinjtë kanë ardhur në mëngjes nga Shkodra, për t’u nisur më pas me anijen “Black Pearl”, në Karaburun.
Një hetim ka nisur në lidhje me shkaqet, sikurse janë duke u bërë analizat për secilin që nuk është ndjerë mirë.
Ata kanë pasur të vjella dhe marrje mendsh, fatmirësisht nuk është i gjithë grupi që ka shfaqur problemet, por rreth 20 prej tyre, të moshave 14-15 vjeç dhe bëhet me dije nga mjekja, se situata është nën kontroll.
Bruno Mersini, drejtoresha e Spitalit: Situata është për disa fëmijë, të moshës 14-15 vjeç. Janë nga Polonia. Kanë udhëtuar gjithë ditën, kanë ardhur nga Shkodra prej mëngjesit dhe kanë marrë anijen për në Karaburun. Është gjendje nën kontroll. Janë duke u kryer analizat përkatëse, do bëhet hetimi dhe do dalin rezultatet. Fëmijët që kanë paraqitur simptomat janë rreth 20.
Doktoresha e urgjencës tregon se situata mund të ketë ardhur në këtë pikë dhe për faktin se ata kanë udhëtuar gjatë gjithë ditës në diell, por nuk e mohon as një mundësi helmimi nga ushqimi.
Lorena Arapaj doktoresha e urgjencës: Kemi 20-25 deri në fëmijë, dhe deri në 7 fëmijë te pediatria. Mund të ketë qenë ekspozimi në diell, ose ndonjë ushqim që mund të kenë ngrenë gjatë rrugës. Po bëhet testimi dhe po presim rezultatet. Nuk është asnjë në rrezik.
Sakaq, drejtori i AKU-së, Ani Binaj, thekson se gjendja është urgjente, por nuk tregon ndonjë informacion më tepër.
Drejtori i AKU Ani Binaj: Nuk jemi ne që pyetemi, pyesni autoritete. Ne ndjekim vijueshmërinë në punën tonë. Unë erdha urgjent. Jemi duke parë situatën. Jemi koordinuar me autoritetet këtu.
Shefi i epidemiologjisë, Agron Bashllari, është shprehur se është ende herët për të dalë në konkluzione, por ka treguar se ushqimi është ngrënë në udhëtimin me anije.
Agron Bashllari, shef i epidemiologjisë: Ushqimi është ngrënë në udhëtim jo në qytet. Është shpejtë për të nxjerrë konkluzione.
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar, në lidhje me situatën në spitalin e Vlorës. Në njoftim thuhet se janë 41 turistë polakë, të cilët janë me simptoma helmimi nga ushqimi dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ata kanë qenë në një guidë me anije turistike, në ishullin e Sazanit.
Sakaq vijon puna, për përcaktimin e shkakut të helmimit të adoleshentëve.
Njoftimi i Policisë: Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 20:10, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, me simptoma helmimi nga ushqimi, 41 shtetas polakë (turistë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit.
Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me një deklaratë në lidhje me rastin e helmimit të turistëve polakë në Vlorë. Në deklaratën e AKU-së shkruhet se gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta.
Sakaq, i bëjnë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit.
AKU: Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit, ku ishin të përfshirë disa pacientë të rinj nga Polonia, të cilët ishin me pushime në Shkodër e kanë udhëtuar drejt Vlorës. Pas udhëtimit me anije në Vlorë, menjëherë, janë paraqitur për kujdes mjekësor pranë Spitalit Rajonal Vlorë, me të cilët kemi punuar ngushtësisht.
Momentalisht, do donim të siguronim publikun e gjerë që situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve.
I bëjmë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit.
DRAKU Vlorë po bashkëpunon me autoritetet vendore shëndetësore dhe agjencitë ligjzbatuese për udhëheqjen e një hetimi toksikologjik lidhur me çështjen. Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët.
Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta.
Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë rëndësia e posaçme e punës së AKU-së dhe për këtë po mbledhim informacionin e dobishëm për të evidentuar e identifikuar çdo gabim në protokollet e sigurisë ushqimore, për t’i adresuar siç ligji parashikon. Skuadra jonë po koordinohet me profesionistët e kujdesit shëndetësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për t’u siguruar që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
DRAKU Vlorë do vijojë të informojë publikun mbi progresin e këtij hetimi. Ftojmë këdo që ka informacion mbi subjekte që tregtojnë jashtë standardeve të sigurisë ushqimore të denoncojë në [email protected] dhe në numrin e gjelbër 08007575 për të qenë së bashku në përpjekjen për sigurimin e mirëqenies së konsumatorëve.