Shtëpia e Bardhë po përgatitet për një hakmarrje ndaj vendeve të NATO-s që, sipas presidentit Donald Trump, nuk kanë ofruar mbështetje të mjaftueshme për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin gjatë konfliktit me Iranin, raporton Wall Street Journal. Planet e administratës përfshijnë largimin e trupave amerikane nga ato vende anëtare që nuk konsiderohen bashkëpunuese, me qëllimin e spostimit të forcave drejt vendeve që kanë treguar mbështetje më të madhe.
Ekspertët shpjegojnë se kjo masë nuk përbën një tërheqje totale nga NATO, e cila kërkon miratimin e Kongresit për t’u realizuar. Ajo përbën një zhvendosje selektive të forcave brenda aleancës. Pas një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, Trumpi shfaqi gjithashtu pakënaqësinë e tij ndaj NATO-s, duke thënë se ajo nuk ishte e pranishme kur Shtetet e Bashkuara kishin nevojë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shprehu shqetësimet e tij duke theksuar: “NATO nuk ishte aty kur ne kishim nevojë, dhe nuk do të jetë aty nëse na duhet sërish.” Në kontrast, Rutte e përshkroi takimin si “shumë të hapur” dhe “shumë të sinqertë”, duke nënvizuar se kishte pasur mosmarrëveshje të dukshme mes palëve. Detajet e bisedës mbeten të panjohura, por qëllimi i takimit ishte të bindte Trumpin se qëndrimi i SHBA-së në NATO është në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve.
Kërcënimet e Trump për tërheqje nga aleanca transatlantike, që përfshin 32 vende, kanë rritur tensionet brenda saj, duke bërë që situata të jetë më e ndërlikuar dhe me pasojat që mund të rezultojnë nga një veprim i tillë. Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara duket se ka hyrë në një fazë të re, e cila po shqyrton seriozisht qëndrimin dhe angazhimet e saj me aleatët në kuadër të NATO-s.















