SHBA- Administrata e Presidentit Donald Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij kundër Universitetit prestigjioz të Kolumbias në Nju Jork, duke kërcënuar se do t’i heqë akreditimin, që do të thotë se do të humbasë të gjitha fondet federale.
Trump po akuzon presidentët e universiteteve të shquara amerikane për antisemitizëm për lejimin e protestave studentore kundër luftës në Gaza në kampuset e tyre.
Të mërkurën, Sekretarja e Arsimit Linda McMahon akuzoi Universitetin e Kolumbias për dështimin në mbrojtjen e studentëve të saj hebrenj pavarësisht kërkesave për ta bërë këtë, dhe si rezultat, akreditimi i saj zyrtar po vihet në pikëpyetje.
“Pas sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, administrata e Kolumbias ka treguar indiferencë të qëllimshme ndaj ngacmimit të studentëve hebrenj në kampusin e saj. Kjo nuk është vetëm joetike, por edhe e paligjshme”, argumentoi sekretarja në një deklaratë.
Nëse i hiqet akreditimi zyrtar, Universiteti i Kolumbias do të humbasë të gjitha fondet dhe subvencionet federale. Administrata Trump në fillim të marsit pezulloi 400 milionë dollarë fonde federale, përfshirë 250 milionë dollarë për shkollat e saj mjekësore, të cilat do t’i ndaheshin Universitetit Columbia të Nju Jorkut. Administrata e universitetit ka njoftuar që atëherë se ka zbatuar reforma drastike të kërkuara nga administrata Trump për të rikuperuar atë financim.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu të mërkurën se do të ndalonte vizat për studentët e huaj që shkojnë në Universitetin e Harvardit, një përshkallëzim i ri në konfliktin e tij me institucionet prestigjioze të arsimit të lartë në SHBA, të cilat ai i akuzon për antisemitizëm ose për promovimin, sipas tij, të ideve tepër progresive të krahut të majtë.
“Kam arritur në përfundimin se është e nevojshme të kufizohet hyrja e të huajve që synojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë, ekskluzivisht ose në një pjesë të madhe, në programet e studimit të Universitetit të Harvardit”, tha kreu republikan i shtetit në deklaratën e lëshuar nga shërbimet e tij në Shtëpinë e Bardhë.