Tre persona janë arrestuar në Kukës nën akuzën e shitjes së kokaine, pas një hetimi tre mujor të zhvilluar nga strukturat e DVP Kukës. Hetimi u bazua në informacionet e grumbulluara për aktivitete kriminale në fushën e narkotikëve.
Arrestimet u realizuan në flagrancë, ku u kapën shtetasit A. I. (22 vjeç), E. K. (20 vjeç) dhe H. E. (60 vjeç), të gjithë banues në Kukës. Një aksion i Policisë u zhvillua në lokalin e H. E., ku, gjatë kontrollit, u gjetën 459 gramë lëndë e dyshuar narkotike e tipit kokainë, përveç 12.5 gramëve të tjerë të ndarë në doza për shpërndarje.
Policia ka njoftuar se puna vazhdon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet e çështjes janë kaluar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.















