Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, pas shpalljes së një vendimi, ka shkaktuar një tronditje të madhe në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime në lidhje me sigurinë e magjistratëve në vend. Një anëtare e familjes së tij, Lira Parruca, ka dhënë një intervistë për emisionin “Top Story” të Grida Dumës, ku e ka përshkruar Kalajën si një profesionist të përkushtuar dhe të drejtë.
Ajo ndan bisedën e fundit me të, ku ai shprehte lodhjen nga volumi i madh të punës dhe mungesën e gjyqtarëve. Parruca shprehet e tronditur nga ky lajm, duke theksuar se humbja e një njeriu si Astrit Kalaja prek thellësisht çdo përson. Kalaja kishte qenë pjesë e familjes dhe një mbështetje e fortë për të.
Për të, ai ishte një njeri me shpirt të madh, që dëgjonte dhe ndihmonte pa hezitim. Në profesion, Kalaja ishte i përkushtuar dhe serioz, duke trajtuar çështje të vështira me dinjitet dhe profesionalizëm. Edhe në bisedën e fundit, ai shprehte shqetësimin për ngarkesën e punës, por kurrë nuk ankohej.
Kalaja kishte një jetë modeste, por plot dashuri dhe ishte i dashur nga kolegët dhe miqtë. Megjithëse punonte në Tiranë, ai kthehej çdo fundjavë në Shkodër, qytetin e tij të dashur. Ajo që e karakterizonte ishte dashuria për artin dhe natyrën e tij krijuese.
Ai la pas një familje të mrekullueshme, përfshirë bashkëshorten e tij, një grua e fortë dhe e mençur, si dhe tre fëmijë, dy profesionistë dhe një vajzë e re. Parruca thekson se kjo humbje është e madhe jo vetëm për ata, por për të gjithë shoqërinë dhe për drejtësinë në vend. Astriti Kalaja do të mbetet gjithmonë në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën, si një njeri që dha dashuri, drejtësi dhe dritë.