VLORA- Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me të gjithë drejtorët e bashkisë Tiranë dhe deputetët e zgjedhur socialist për kryeqytetin. Gazetari Muhamed Veliu ka zbardhur porositë që kreu i ekzekutivit kishte për ta. Sipas tij Rama u ka thëndë drejtorëve të bashkisë dhe ligjvënësve të rinj se nuk ka ankesa për ta.
Ai ka shtuar se duhet të ndahen në grupe pune në terren për te parë problematikat. Ai ka kërkuar të bëhet kujdes me zënien e trotuareve duke shtuar se “Tirana s’mund të bëhet si Vlora”. Kreu i qeverisë mësohet të ketë thënë gjithashtu se IMT dhe INUK duhet të jenë në lartësinë e duhur.
“Nuk kam ankesa për ju. Duhet të ndaheni në grupe pune në terren për te parë problematikat. Kujdes në problemet e zënies së trotuareve, Tirana s’mund të bëhet si Vlora. IMT dhe INUK duhet të jenë në lartësinë e duhur”, mësohet se ka thënë Rama.
Ky takim i Ramës me përfaqësuesit e Bashkisë dhe deputetët e zgjedhur të kryeqytetit vjen pas takimit të paradites me drejtorët e Bashkisë Vlorë.
Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij në Vlorë nuk ka kërkuar vetëm dorëheqje dhe shkarkime. Raportohet se Rama ka marrë edhe vendime për strukturën politike të Partisë Socialiste në Vlorë. Kreu i PS-së dhe njëkohësisht kreu i qeverisë ka komanduar Klevis Kason dhe Eriona Ismailin si drejtues të rinj të PS-së në Vlorë.
Gjithashtu, sipas raportimeve Rama i ka tërhequr vëmendjen kryetarit të bashkisë, Ermal Dredha, duke i kërkuar ndryshim të thellë të mënyrës së drejtimit dhe bashkëpunimit me strukturat socialiste dhe komunitetin lokal.