Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë është regjistruar në Greqinë veriperëndimore, afër kufirit me Shqipërinë, në orën 05:32:30 sipas kohës lokale, me një thellësi rreth 5 kilometra. Epiqendra e tij u vendos rreth 10 kilometra në veriperëndim të Lepokarisë, në Thesproti, duke u ndjerë në disa zona të Epirit dhe Thesalisë, përfshirë disa ishuj të Detit Jon.
Sipas Efthymis Lekkas, president i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen Antisizmike (OASP), thellësia e vogël e tërmetit e bëri lëkundjen më të ndjeshme për banorët. Pas tërmetit ka pasur disa pasgoditje, duke përfshirë një me magnitudë 4.7 dhe një tjetër 3.4 Rihter, që mund të tregojnë se lëkundja kryesore ishte 5.4 Rihter.
Autoritetet kanë kërkuar që qytetarët të mos përdorin banesat e caktuara deri në verifikimin e dëmeve nga specialistët. Prefekti i Epirit, Aleksandros Kahrimanis, ka deklaruar se, ndonëse pasgoditjet po vazhdojnë, deri tani nuk janë raportuar dëme serioze, ndërsa tërmeti ndodhi veçanërisht me intensitet në komunën e Zitsas.
Disa banorë kanë dalë nga shtëpitë e tyre të frikësuar, dhe në disa zona janë raportuar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Një banor nga fshati Grameno tregoi se zhurma e tërmetit e trembi shumë. Pas tërmetit kryesor, në orën 05:36:28, është regjistruar një lëkundje tjetër me magnitudë 4.7 Rihter në thellësinë 12.9 kilometra, si dhe së paku gjashtë pasgoditje të tjera me magnitudë nga 2.4 deri në 3.5 Rihter.
Derisa nuk janë raportuar dëme të rënda në Thesproti, Janinë apo në jug të Shqipërisë, në kilometrin e 34 të autostradës Egnatia janë ndodhur vetëm rrëshqitje të vogla dheu pa ndikuar në qarkullim. Sizmologu Akis Tselentis e ka cilësuar aktivitetin sizmik të regjistruar si të zakonshëm, duke e theksuar se gjatë javës së fundit janë regjistruar 28 lëkundje më të vogla në zonën e Lepokarisë.















