Një grua, që thuhet se është e bija e një bosi francez të kriptovalutave i shpëtoi mëngjesin e së mërkurës në Paris një pengmarrjeje.
Sipas mediave franceze, gruaja, që po shëtiste me partnerin e saj dhe fëmijën e mitur, u sulmua rreth orës 8 të mëngjesit në një rrugë në rrethrrotullimin e 11-të të kryeqytetit.
Burimet mediatike saktësojnë se partneri i saj arriti të zmbrapste agresorët, të cilët po përpiqeshin ta fusnin gruan në një furgon të bardhë.
Një video e publikuar online tregoi gjithashtu se si kalimtarët ndërhynë në ndihmë të çiftit. Njëri prej tyre kapi një armë që i përkiste një nga pengmarrësve që ishte rrëzuar në tokë dhe ia drejtoi atij, ndërsa një tjetër hodhi një bombol për shuarjen e zjarrit në drejtim të një personi të maskuar.
Pasi dështuan në realizimin e planit të tyre, agresorët u larguan.
Në muajt e fundit, në Francë dhe në mbarë Evropën një numër i konsiderueshëm bosësh të kriptovalutave, ose familjarë të tyre, kanë rënë pre e pengmarrjeve.
Në fillim të majit, babai i një financieri valutash kibernetike kaloi tre ditë në robëri pasi u rrëmbye teksa shëtiste qenin e tij në Paris.
Pengmarrësit kërkuan një shpërblim prej disa milionë eurosh në këmbim të lirimit, duke i dërguar të birit si provë gishtin e tij të prerë.
Në vitet e fundit kriptovalutat po përdoren gjithnjë e më shumë nga grupet kriminale për të bërë pagesa për blerjen e drogës në Amerikën Latine, si dhe për të pastruar para.