Një ngjarje e rëndë ndodhi në Shkodër, ku një person qëlloi me armë zjarri gjatë një tentative ndalimi nga policia. I përfshirë në këtë incident është 40-vjeçari Barush Bregu, i njohur si pjesë e fisit të Ibrahim Licit. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:10 në lagjen “Guerrile”.
Policia arrestoi dy persona, 43-vjeçarin Ervis Baba dhe një 17-vjeçar, banues gjithashtu në këtë lagje, ndërsa Bregu është shpallur në kërkim. Ai ka një histori kriminale me precedentë për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe vjedhje.
Sipas hetimeve, gjatë patrullimit në zonë, policia i bëri shenjë ndalimi automjetit të drejtuar nga Baba, ku ndodheshin gjithashtu Bregu dhe të mituri. Por, 43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit dhe ka vazhduar të lëvizë me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme. Kjo ka detyruar policinë ta ndjekë automjetin.
Për gjatë ndjekjes, Bregu dyshohet se ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar më armë zjarri në ajër, me qëllim të kanosë punonjësit e Policisë. Pas incidentit, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit, si dhe automjetin tip “Volkswagen Seat” që po përdorej.
Materialet për këtë rast janë dërguar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme. Bregu dhe të tjerët përballen me akuza për kanosje, mosbindje ndaj urdhrit të Policisë, prishja e qetësisë publike, armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.















