Kreu i Partisë Demokratike (të vulës), Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të papritur para mediave. Pas përfundimit të seancës plenare, para mediave, Basha tha se maxhoranca dhe deputetët që e mbështesin e kanë gjetur “gjuhën e përbashkët” për nisjen e punës për Refomës Zgjedhore. Sipas tij, e gjitha ka ndodhur në bashkëpunim me aleatët strategjikë të Partisë Demokratike, pra ndërkombëtarët. Ndërsa shtoi se pret që puna të nis që këtë javë.
PJESË NGA PRONONCIMI I BASHËS:
Basha: Dita e sotme provoi se interesat e qeverisë nuk janë normaliteti politikë, llogaridhënia dhe mbajtja e përgjegjësisë, por vazhdimi i teatrit me skenarë dhe regji të Edi Ramës që pamundëson zërin e opozitës, pamundëson mbajtjen e përgjegjësisë dhe dhënien e llogarisë që është dhe funksioni kryesor i Parlamentit. Kështu që sot kam një thirrje për Presidentin e Republikës: Të kthejë mbrapsht ndryshimet e njëanshme të ligjit për Komisionet Hetimore. Të zhbëhen po kështu ndryshimet e njëanshme të regullores, ndërkoh që në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, përfaqësuesit e të cilit dëshiroj t’i falenderoj, ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest sa i përket prioritetit kryesor për largimin e papërgjegjshmërisë politike nga skena politike përmes Reformës Zgjedhore. Dhe të paktën për momentin duhet që në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Detajet besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim, por edhe një interes publik të jashtëzakonshëm që është shkatërrimi i skenarëve për të zvarritur edhe një herë procesin e Reformës Zgjedhore. Se kur do të mblidhet komisioni, këtë do ta shikojmë, por ne insistojmë që puna e komisionit të jetë publike.
Janë takuar Gjiknuri dhe Alibeaj?
Basha: Nuk ka asgjë sekrete. Ka muaj që qeveria me alibi të ndryshme i ka ikur përgjegjësisë për t’i ikur debatit. Shpresojmë që këtyre alibive t’u vijë fundi dhe Komisioni për Reformën të mblidhet këtë javë.