Britania e Madhe është tronditur pas sulmit terrorist jashtë një sinagoge në Mançester, të ndodhur gjatë ditës së shenjtë të Yom Kippur. Autori, 35-vjeçari Jihad Al-Sami, lindur në Siri, u qëllua për vdekje nga policia pak minuta pas sulmit. Ai kishte emigrur në Britani si fëmijë dhe kishte fituar shtetësinë britanike në vitin 2006. Megjithatë, Al-Sami nuk kishte pasur histori kriminale dhe nuk ishte ndjekur nga programi “Prevent” për parandalimin e radikalizimit.
Dëshmitarët thonë se Al-Sami drejtoi makinën e tij drejt besimtarëve që po shkonin në sinagogë, dhe më pas, pasi doli i armatosur me një thikë, ai sulmoi disa individë. Viktimat përfshinin dy anëtarë të komunitetit hebre, Adrian Dolby dhe Melvin Kravitz, ndërsa tre persona të tjerë u plagosën, përfshirë një individ që u godit nga makina e tij.
Hyrjen e Al-Samit në sinagogë e parandaloi Rabini Daniel Walker dhe disa vullnetarë që mbyllën dyert, duke i dhënë fund përpjekjes së autorit. Ai mbante një jelek që fillimisht u dyshua se përmbante eksploziv, por doli se ishte jofunksional. Një burrë i plagosur gjatë përpjekjes për kapjen e Al-Samit, babai i tre fëmijëve Yoni Finley, është në gjendje të qëndrueshme pas një operacioni.
Në përpjekje për të hetuar bashkëpunëtorë të mundshëm, policia arrestoi dy burra dhe një grua. Ky akt i dhunshëm u dënua nga liderët politikë dhe fetarë. Kryerabini Sir Ephraim Mirvis e cilësoi ngjarjen si një “valë të pamëshirshme urrejtjeje antisemitike”, ndërsa Kryeministri Keir Starmer, që shkoi me urgjencë nga Kopenhageni, theksoi nevojën për rritjen e sigurisë në komunitetet hebraike dhe e quajti sulmin një akt terrorist kundër hebrenjve.
Edhe nga Izraeli, Kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti këtë akt një “sulm barbar” dhe shprehu solidaritetin me viktimat. Ministrja e Brendshme Shabana Mahmoud shprehu tronditjen e saj për këtë akt dhe premtoi një hetim të plotë mbi ngjarjen.