Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) shpalli strategjinë ‘Vision to Victory 2026-2030’ në një event që u mbajt dje pasdite. Kjo strategji është konceptuar për të sjellë ndryshime cilësore në futbollin shqiptar dhe është zhvilluar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s pas një pune të gjerë kërkimore. Në event morën pjesë figura të rëndësishme, përfshirë Presidentin e FSHF, Armand Duka, dhe Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe përfaqësues të klubeve, ish-futbollistë dhe media.
Duka e filloi fjalën e tij duke bërë një bilanc të strategjisë së kaluar, “Futbolli për Kombin”, përpara se të shpaloste projektet për katër vitet e ardhshme. Ai theksoi se strategjia synon rritjen e pjesëmarrjes dhe cilësisë në futboll, forcimin e strukturave dhe investime në infrastrukturë dhe talente. Duka e përshkroi strategjinë si të matshme dhe të zbatueshme, duke vendosur një objektiv për regjistrimin e 26,000 djemve futbollistë deri në vitin 2030, nga 24,078 që janë aktualisht.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie është edhe përmirësimi i infrastrukturës sportive. Duka shprehu qëllimin për ndërtimin e 30 deri në 40 fushave të reja futbolli, kryesisht në Tiranë, duke e theksuar nevojën urgjente për ndihmën e qeverisë në këtë proces. Ai nënvizoi se për çdo 18,981 banorë aktualisht ka vetëm një fushë futbolli, një raport shumë i ulët në krahasim me standardet europiane.
Presidenti Duka theksoi gjithashtu rëndësinë e partneriteteve me klubet dhe organizatat për të arritur objektivat afatgjata. Ai shprehu nevojën për rritjen e numrit të spektatorëve në stadiume dhe ndihmën financiare për klubet dhe akademitë, që po përballen me vështirësi financiare. Ai njoftoi se do të vazhdojnë mbështetje financiare nga buxhetet e federatës dhe do të angazhohen për finalizimin e ligjit të Sponsorizimeve në Sport.
Për sa i përket ekipeve kombëtare, Duka vendosi objektiva ambicioze, duke u fokusuar në pjesëmarrjen në turnetë europiane dhe botërorë për ekipin A, dhe kalimin e fazave për ekipet U-21 dhe kombëtaren femërore. Ai përfundoi duke u shprehur se katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për ardhmërinë e futbollit shqiptar.















