Dosjet “përvëluese” me abuzimet në shëndetësi janë drejt “qepjes”. Përfundimi i hetimeve do të çojë pas hekurave zyrtarë shumë të lartë. Kontratat publike në shëndetësi janë futur në skaner nga SPAK. Jo vetëm kaq, pasi hetimet nuk janë izoluar vetëm tek koncesioni i sterilizimit, por janë shtrirë nga koncesioni i check-up, e deri tek kontratat sekrete për furnizimet në periudhën e pandemisë. Burime nga gazeta “SOT”, bëjnë me dije se në duart e prokurorëve specialë janë edhe të gjitha shkeljet e dokumentuara nga KLSH ndër vite për shëndetësinë. Ky zhvillim fut në panik gjithë kupolën e korruptuar që ka bërë “namin” me abuzime. Të rrezikuar nga prangat, janë kokat kryesore, ish-ministri Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre. Sinjalet se SPAK po i afrohet Ilir Beqajt u dhanë ditën e djeshme. Hetimet për koncesionin e sterilizimit kanë çuar në sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Ilir Rrapaj. SPAK ka vendosur sekuestro ndaj dy kompanive të Rrapajt dhe disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare.
Sekuestrimet
Konkretisht, SPAK ka sekuestruar 40% të aksioneve të Ilir Rrapajt në kompaninë ‘Sani Service’, si edhe dy kompanitë në pronësi të tij, ‘Investital Llc’ dhe ‘Globalsher’. Në sekuestro janë vendosur edhe dy llogari bankare të subjektit “Globalsher” që kapin vlerën e 295 mijë euro. Një prej llogarive ka vlerën 285,412,48 euro dhe llogaria tjetër 113,610.93 lek, ose rreth 1 mijë euro. Po ashtu në sekuestro janë vendosur edhe 13 automjete të shoqërisë ‘Globalsher’ shpk, nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj shoqërie. Në qytetin e Vlorës është sekuestruar edhe një pasuri e paluajtshme apartament në pronësi të shoqërisë “Globalsher” shpk. Biznesmeni Ilir Rrapaj është në burg që prej muajt gusht 2023, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të “Mashtrim”, me pasoja të rënda. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme shtyu dje seancën ku biznesmeni Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë në kohën e Beqajt, Klodian Rjepaj kundërshtonin zgjatjen e afateve të hetimeve.
Detajet nga dosja e SPAK
Futja e Ilir Rrapaj me disa kompani në biznesin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, nuk është kryer vetëm me “Ok” e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, por zgjerimi i mëtejshëm i biznesit dhe përfitimet, Rrapaj, i mori me ardhjen në krye të Ministrisë, së Ogerta Manastirliut. Në dosjen hetimore të SPAK nënvizohet një tablo e qartë se si, Beqaj, shkeli me dy këmbë procedurën konçesionare, vetëm në interes të veçantë që fitimin e shërbimit 100 milion euro, t’ia jepte në dhjetor 2015 miqve të tij, Ilir Rrapaj dhe italianit, Umbro Staçini. Ndërsa Ogerta Manastirliu, në vitin 2018 urdhëroi rinegocimin e kontratës konçesionare, duke shtuar në shërbim të konçesionarit, mbi 8 mijë ndërhyrje mikrokirurgjikale të thjeshta. Me rritjen e numrit të operacioneve u ritën dhe kostot në buxhetin e shtetit. Kurse për kompaninë konçesionare “Sani Service” u rritën përfitimet. Roli i Ogerta Manastirliut, në zgjerimin e biznesit të Ilir Rrapaj, dukshëm nënvizohet në dosjen e SPAK, se përmes një shkrese datë 21 dhjetor 2021, ku ministria autorizonte kompaninë “Globalsher” të Ilir Rrapaj për tregtimin me shumicë të paisjeve kirurgjikale dhe mjekësore. Në fakt kompania e Rrapaj që prej vitit 2016 kishte hyrë në marëdhënie tregtare me kompaninë e “Sani Service” të Ilir Rrapaj. Por në 2021, me firmën e Manastirliut “Globalsher” kthehet në një biznes të ofrimit të shërbimeve mjekësore me shumicë. Gjithashtu nga Raporti i Kontrollit Tatimor i datës 18 Maj 2018, konstatohet se dhe shërbimet e furnizimit që “Globalsher” ka bërë për “SaniService”, janë shërbime që futen në kategorinë e konsulencës. Pasi “Globalsher” i Ilir Rrapaj furnizon “SaniService” të Ilir Rrapaj me produkte që nuk i disponon, por i merr nga kompani të tjera, të nënkontraktuara prej saj. Në këtë rast sipas SPAK, “Globalsher”, konstatohet se shërben vetëm si ndërmjetëse në këtë proces duke mbifaturuar shërbimin e kryer tek “Sani Servi” nga 14 kompani nënkontraktore. Vetëm në një rast, thotë SPAK 14 subjekte nënkontraktuale kanë faturuar për shërbime të ndryshme me 440 milion lekë të vjetra, kompaninë “Globalsher” të Ilir Rrapaj, e cila ishte futur si nënkontraktore në shërbimin e sterilizimit nga konçesionari “Sani Service” në pronësi të Ilir Rrapaj. Për të njëjtin shërbim që 14 nënkontraktuesit kanë faturuar 440 milion lekë “Globalsher”, kjo e fundit ka mbifaturuar konçesionarin “Sani service” me 6 miliard 967 milion lekë dhe 321 mijë euro. Një balancë financiare kjo që tregon vjedhjen e kryer përmes skemës së nënkontraktimeve.
E pëson dhe mjeku Edvin Prifti
Përveç Rrapajt, sinjalet se dosjet korruptive në shëndetësi po hetohen me themel u dhanë dhe me fundosjen ndaj mjekut të njohur Edvin Prifti. Ai u paraqit dje në SPAK ku pasi qëndroi më shumë se 3 orë, iu komunikuan akuzat për pastrim parash dhe korrupsion. Mjeku Edvin Prifti akuzohet se mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Mallakuçi ishte nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave, Mallakuçi ishtë kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj në këmbim të parave. SPAK ka vendosur sekuestro edhe mbi llogaritë bankare të mjekut kardio-kirurg Edvin Priftit, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekësh dhe shumën prej 177.497 Euro. Ai shpesh herë ka kërkuar lirimin e llogarive bankare, duke deklaruar se i ka të justifikuara, por Gjykata e Lartë e ka rrëzuar kërkesën. Policia gjyqësore ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij. Dyshohet se Prifti ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Nga verifikimet e llogarive bankare të Edvin Priftit apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se Prifti kryente depozitime cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë. Policia gjyqësore ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij. Dyshohet se Prifti ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.















