Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ka qenë krah kreut të SPAK, Altin Dumanit dhe gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Bani, të cilët ishin pjesë e Tryezës së Drejtësisë.
Gjatë fjalës së saj Bogdani i ka “tërhequr vërejtje” të gjithë atyre që janë duke sulmuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe GJKKO.
Ajo ka kërkuar menjëherë që çdo kush që po ndërhyn në punën e tyre të tërhiqet në momentin që drejtësia është duke folur.
Duke kërkuar durim, Bogdani theksoi se duhet t’i japim kohën e nevojshme institucioneve të drejtësisë me qëllim zbardhjen e plotë të dosjeve.
“Të tërhiqemi në momentin që drejtësia flet. Fakti që ne komentojmë çdo masë dhe sjellje e prokurori është sikur të rrijë një njeri 24 orë me mua unë do e kem të pamundur të realizoj një detyrë. Mendoj që duhet të kemi pak durim ti japim kohën e duhur të gjithëve që dinë të bëjnë punën e tyre, ose kanë gabuar.
Lidhur me pyetjet unë mendoj që Roma nuk u ndërtua në një ditë. Deri dje flitet për pandëshkueshmëri sot flitet për standartet. Duhet ti lëmë kohë organizatave që të bëjnë punën e tyre.
Si hetohen si gjykohet si janë dëmet që janë dhënë a do ishte më mirë që të bënim një analizë, apo masat e konfiskimit, këto le t’ia lëmë studimeve në një moment të dytë. Janë vetëm 5 vjet institucione, nuk është arritur të mbyllet një çështje, çështje e zakonshme, jo më për organizata kriminale, është e pamundur. Nëse është e mundur shoqëria civile të nxitet diskutimi dhe më pas të reflektohet me hapa konkrete”, tha ajo.