Këtë të martë, më 31 mars, është afati i fundit për individët dhe bizneset që duhet të dorëzojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Vjetore (DIVA) për vitin 2025. Administrata Tatimore ka bërë një thirrje të re për tatimpaguesit, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve në kohë. Afati përfundimtar, i unifikuar për herë të parë, mbyllet më 31 mars 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në këtë datë, janë dorëzuar gjithsej 276,906 deklarata, të ndara sipas kategorive të tatimpaguesve. Prej këtyre, 102,840 deklarata janë nga të ardhurat nga biznesi, 28,812 nga korporatat, ndërsa individët zënë shumicën me 145,254 deklarata për të ardhurat personale.
Deklarata duhet të plotësohet nga individët me të ardhura mbi 1.2 milion lekë, ata me më shumë se një burim të ardhurash, të vetpunësuarit dhe individët që kanë të ardhura nga qiraja. Ndryshe, ata që nuk e dorëzojnë deklaratën do të ndeshen me një gjobë prej 3 mijë lekësh, së cilës i shtohet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Kjo deklaratë është e rëndësishme për Administratën Tatimore në luftën kundër evazionit fiskal dhe për hetimin e pasurisë së individëve.
Duke u mbështetur në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, administrata planifikon të analizojë deklaratat e DIVA-s për të krahasuar të ardhurat e deklaruara me pasurinë që individët disponojnë. Ky hap ka si qëllim goditjen e fshehjes së të ardhurave reale dhe forcimin e transpaencës në sistemin tatimor.
Tatimpaguesit inkurajohen të veprojnë me përgjegjshmëri për të shmangur ndëshkime dhe për të kontribuar në financat publike.















