Spartak Zekja, ish-kreu i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor i larguar vetëm gati një muaj më parë nga ky post është arrestuar pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.
Duket që kjo ka qenë dhe arsyeja e largimit të Zekjas nga posti i kreut të FSDKSH, më 23 shtator 2025, dhe ministria e Shëndetësisë emëroi në vend të tij Arti Papajani.
Zekja së bashku me 3 zyrtarë të FSDKSH, administratorin e një kompanie farmaceutike dhe dy pronare farmacish akuzohen se kanë falsifikuar dokumente duke krijuar inventarë fiktivë të barnave me vlerë mbi 700 mijë euro për të përfituar fonde rimbursimi nga FSDKSH.
Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.4472, të vitit 2025 të Prokurororisë së Tiranës, është shpallur në kërkim dhe administratori i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” Frigul Milla. Në hetimin e prokurorisë së Tiranës në gjëndje të lirë janë dhe 3 zyrtarë të FSDKSH dhe dy pronarë farmacish.
Sipas prokurorisë Firgul Milla, administrator i subjektit “CFO Pharma”, me veprimet e tij, ka përdorur dy subjektet “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” dhe administratorët e tyre për qëllime përfitimi, duke paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë nga këto subjekte medikamente të cilat “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”, i kanë krijuar në gjendjet e tyre të inventarit në sistemin “edepo” (Shërbimi digjital) duke falsifikuar inventarin respektiv si dhe faturat e blerjes.
Këto veprime kanë lejuar të dy këto subjekte të kenë aftësi për shitjen e medikamenteve “Foster” dhe “Trimboë” te subjekti “CFO Pharma”
Arrest në burg:
Frigul Milla – Falsifikim dokumentesh dhe fshehje e të ardhurave
Spartak Zekja – Falsifikim dokumentesh
Detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit
Alba Zylfo – Falsifikimi i dokumentave dhe Fshehja e të ardhurave
Jona Berberi – Falsifikimi i dokumentave
Lorela Ballabani – Falsifikimi i dokumentave dhe Fshehja e të ardhurave
Detyrim paraqitje:
Romina Agalliu – Falsifikimi i dokumentave
Pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit:
Zade Mali – Falsifikimi i dokumentave
Esjana Gjishti – Falsifikimi i dokumentave
Ilaçet e Astmës
“Foster” dhe “Trimbow” janë dy ilaçe që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes, si astma bronkiale dhe sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK / COPD).
Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit Ilir Shehu administrator i subjektit “Medicamenta” që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetsor, për rimbursimin e disa barnave.
Ai kallëzoi se është në dijeni të faktit se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” në bashkëpunim me nëpunës publikë të Fondit të Sigurimeve Shëndetsore kryejnë veprimtari të kundërligjshme që konsiston në veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së produkteve “Foster” dhe “Trimbow” dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve/inventarëve fiktivë përfitojnë nga FSDKSH fonde rimbursime në shuma të konsiderueshme monetare.
“Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit të import-it dhe shitjeve por veçanërisht nga të dhënat në drejtorinë e statistikës pranë Fondit, u konstatua një skemë të organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha.
Në qëndër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtar të FSDKSH” informon prokuroria.
Shpërndarësit “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, janë shpërndarës të themeluar “de fakto” nga pronari i “CFO Pharma”, të cilët kanë lidhur kontratë me FSDKSH ku kanë deklaruar shifra të fiktive të gjëndjes fillestare të inventarit, me qëllimin shitjet më pas fiktive në “CFO Pharma” e më pas në farmaci.
Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboë” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboë”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje.
Fakti, i miratimit të këtyre inventareve fiktive si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH tregon qartë përfshirjen e zyrtarve të Fondit si pjesë e kësaj skeme.
Shitjet fiktive të “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë bërë drejt “CFO Pharma” e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive” informoi sot prokuroria e Tiranës.















