TIRANË-19 ton mish pule me salmonelë janë importuar nga Brazili në vendin tonë. Mishi me salmonelë është futur në vendin tonë nga Brazili dhe është shpërndarë në treg nga kompania “diMal”. Një ditë pas raportimit të skandalit ushqimor, ku kompani private ‘diMal’ ka importuar filetot e pulës që përmbanin bakterin e salmonelës, është shpallur në kërkim administratori i kompanisë dhe është vendosur nën hetim vëllai i tij, njëherësh edhe pronari i subjektit.
Në kërkim është shpallur Arben Goxha,administratori i kompanisë, ndërsa në hetim është i vëllai, Mond Goxha, pronar i ‘dimal’ dhe 3 inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Gezim Hushi, Sada Lufta, Aldo Sinjari. Këta të fundit dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos parandaluar daljen e këtyre produkteve në treg. Çështja është tashmë në duart e Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për këtë rast serioz që përbën një kërcënim për shëndetin e qytetarëve.
Çfarë deklaroi ‘diMal’
Kompania “diMal Inc.” në pronësi të Mondi Goxhas shprehet se nuk është importuesi i mishit të papërpunuar të pulës dhe pasi u njoftua se ka dyshime për kontaminim të mishit ndërmori masat paraprake. Ndërsa, kompania “AMG Food”, edhe kjo në pronësi të Mondi Goxhës, pranon se në fakt në treg është shitur mish i kontaminuar. Sipas deklaratës, sapo Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se mishi është i kontaminuar, kompania në fjalë ka tërhequr produktet nga tregu. Sipas “AMG Food” kompania ka vendosur në disapozicion të AKU 154 fatura të produktit të shitur të kontaminuar në treg dhe janë njoftuar konsumatorët.
Ndërkohë, AKU, pas publikimit të skandalit, përmes një komunikate të shkurtër për mediat, pranoi faktet.Drejtori i Menaxhimit të Riskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi se pasi u konstatua mishi i pulës me salmonelë, kompania nuk ka bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk ka dhënë informacion të saktë rreth faturave, se në cilat pika shitjesh u shpërnda ky produkt.
Si ‘diMal’ i shiti filetot në markete pa pritur analizat e AKU
Ngarkesa e dyshimtë ka mbërritur në Portin e Durrësit më 11 mars 2025 dhe është marrë nga kompania ‘Dimal Inc’, një subjekt i themeluar në vitin 2019 nga Mondi Goxha, një nga të akuzuarit kryesorë në këtë çështje. Mostrat janë marrë vetëm pak ditë më vonë nga ana e agjentëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Rezultatet e analizave kanë dalë pas 3-4 ditësh që nga marrja e monstrave, kur në fakt duhet që të dilnin brenda 24 orëve. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me “Salmonella Typhimurium”, por që në këtë kohë, mishi ishte shitur. Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit. Vetë kompania “diMal” thotë që është distributor/shpërndarës në Big Market, Xhangolli, Euromarket dhe Joena. Por nuk dihet nëse është shitur edhe në markete të tjerë.
Njoftimi i policisë:
Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.
Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Sasia totale që mbërriti nga Brazili në Durrës më 11 mars është 7.9 tonë, ndërsa burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 18.250 kilogramë fileto pule e ngrirë, pra rreth 18.3 tonë.