Drejtësia argjentinase ka ngritur akuza formalisht ndaj presidentit të Federatës së Futbollit, Claudio Tapia, dhe shefit të thesareve, Pablo Toviggino, lidhur me një hetim për mosdeklarimin e sigurimeve shoqërore dhe taksave. Ky proces ka nisur pas një denoncimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe përfshin një shumë që kalon 19 miliardë pesos (rreth 13 milion dollarë) gjatë dy viteve të fundit. Parregullsitë e supozuara përfshijnë këste taksash si TVSH, tatimin mbi të ardhurat dhe kontributet për pensionet për periudhën mars 2024-shtator 2025.
Sipas ligjit argjentinas, dënimi për këto shkelje varion nga 2 deri në 6 vjet burg. Prokuroria nënvizon se, duke pasur parasysh dimensionin financiar të Federatës Argjentinase të Futbollit dhe shumën e parave në hetim, hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj anëtarëve të tjerë të Këshillit Drejtues të këtij institucioni.
Ky rast është i pari nga tri hetime të hapura së fundmi që prekin drejtuesit e Federatës. Hetimet e tjera lidhen me parregullsi financiare që kanë të bëjnë me kompaninë Sur Finanzas dhe blerjen e një prone luksoze në provincën e Buenos Aires. Federata Argjentinase e Futbollit ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si një sulm të koordinuar nga qeveria e presidentit Javier Milei.
Përplasjet mes qeverisë argjentinase dhe Federatës së Futbollit kanë vazhduar për më shumë se një vit, duke u thelluar edhe nga një projekt qeveritar që ka si qëllim futjen e modelit të shoqërisë aksionere në fushën e futbollit. Ky model është refuzuar deri tani nga Federata Argjentinase e Futbollit dhe shumicën e klubeve të futbollit në vend, duke shtuar edhe më shumë tensionet mes dy palëve.















