Nga Niko Vorobyov “The Spectator”
Dikur Ekuadori u kursye nga më e keqja e narko-luftës dhe e kryengritjeve që pllakosën gati gjithë vendet e Amerikës Latine. Por tani jo më. Sulmi gjatë javës së kaluar ndaj një kanali televiziv në Guajakil nga banditë që kërcënonin me armë gazetarët dhe kameramanët, tregoi se askush nuk është i sigurt askund, për shkak të bandave të narko-trafikut që po sundojnë rrugët e vendit.
Kaosi i ditëve të fundit, është nxitur nga arratisja nga burgu e njërit prej bosëve më të mëdhenj të botës së krimit në vend. Hose Adolfo Masias Vilamar i njohur me nofkën “Fito”, ishte tallur për muaj të tërë me autoritetet. Madje ai kishte xhiruar edhe një videoklip muzikor, edhe pse supozohej të ishte i izoluar nën masa të rrepta sigurie.
Sot është i lirë pasi është arratisur. Vitet e fundit, shkalla e vrasjeve është rritur me 5 herë qëkur kur vendi kryesisht paqësor, është shndërruar në një fushëbetejë për bandat rivale të trafikut të drogës.
Presidenti Daniel Noboa ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 60-ditë, duke ndjekur shembullin e El Salvador, që i mposhti me sukses banditët e tmerrshëm që terrorizonin dikur qytetarët. Por deri më tani, gjërat nuk kanë shkuar mirë:qindra gardianë u morën peng në trazirat që shpërthyen nëpër burgje, dhe shumë policë u rrëmbyen në mes të rrugës.
“Ju na shpallët luftë, dhe luftë do të keni!”- deklaruan policët e marrë peng para kameras me pistoletat e banditëve në kokat e tyre. Ekuadori ka një pozicion strategjik pranë Kolumbisë dhe Perusë, dy vendet më të mëdha prodhuese në botë të bimës koka dhe të lëndës narkotike kokainë.
Në Kolumbi, traktati i paqes dhe shpërbërja që e pasoi e grupimit rebel FARC në vitin 2016, krijoi një boshllëk në trafikun e drogës, i cili u mbush me shpejtësi nga narko-trafikantët meksikanë. Këta të fundit investuan në fermat e kultivimit të kokës, dhe nënkontraktuan bandat ekuadoriane për transportimin e drogës në vendet e zhvilluara.
Deri në vitin 2019, 1/3 e drogës që prodhohej në Kolumbi transportohej përmes portit të Guajakil në brigjet e Paqësorit. Një pjesë e kokainës, e destinuar për në Australi, Evropë dhe Amerikën e Veriut, ishte fshehur në mesin e ngarkesave të bananeve, eksportit më të çmuar të Ekuadorit.
Pra, nëse keni përdorur kokainë këtë javë, atëherë ka shumë gjasa që ajo të ketë ardhur në Britani përmes Ekuadorit. Ky sektor ekonomik në zgjerim, ka sjellë me vete një konkurrencë të egër mbi kontrollin e porteve, një luftë që u përshkallëzua kur bosi i Los Choneros, bandës më të madhe të drogës në Ekuador, u qëllua për vdekje në një qendër tregtare në dhjetor 2020, duke e përçarë bandën e tij në disa fraksione kundërshtare me njëra-tjetrën.
Trupa të pajetë janë gjetur të varur në ura, dhe disave iu mungon koka. Los Choneros, dhe antagonistët e tyre kryesorë, Los Lobos (Ujqërit), po lidhen tani me rrjetet globale të drogës, përfshirë kartelet Jalisco dhe Sinaloa të Meksikës, si dhe mafian shqiptare.
Vitin e kaluar, kandidati presidencial Fernando Vilavisensio u qëllua me 3 plumba në kokë gjatë një takimi elektoral në kryeqytetin Kuito, një ngjarje që na kujtoi vrasjen e kandidatit presidencial kolumbian Luis Karlos Galan nga njerëzit e Pablo Eskobarit në vitin 1989.
Vilsavisensio kishte zbuluar më herët se “ishte kërcënuar nga kreu aktual i bandës Los Choneros, dhe përfaqësuesi lokal i kartelit meksikan Sinaloa “Fito”, arratisja e të cilit nga burgu shkaktoi edhe gjendjen e jashtëzakonshme. Aktualisht Ekuadori po shndërrohet në Kolumbinë e viteve 1980.
Edhe pse londinezët e shtresës së mesme që konsumojnë rregullisht drogë mund të pretendojnë të kundërtën, është një fakt që vesi i tyre e mbështet makinerinë e vrasjeve në Amerikën Latine. Dhe ky nuk është një argument i ri; është e lehtë të tregosh me gisht borgjezinë, e cila thith me hundë pluhurin e bardhë të njollosur me gjakun e shumë njerëzve, por që nga ana tjetër ngurron para një hamburgeri.
Por mua më vjen keq të them se nëse plani për të stabilizuar Ekuadorin varet nga një bojkot etik i qytetarëve në vendet e zhvilluara, atëherë mund të na duhet të presim për një kohë shumë të gjatë që gjërat të ndryshojnë. Trafiku i drogës nuk do të përfundojë brenda natës.
Një opsion është një operacion i ngjashëm me atë që ka ndërmarrë në El Salvador Najib Bukele, i vetëquajtur si “diktatori më i lezetshëm në botë”. Por edhe kjo qasje ka një kosto të lartë. Gjendja e jashtëzakonshme që është shpallur në këtë vend, ka sjellë pezullimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, dhe anëtarët e dyshuar të bandave futen në masë nëpër burgje, pa asnjë lloj prove apo procesi të rregullt gjyqësor.
Për momentin, kjo strategji edhe pse ekstreme, duket se ka funksionuar. Bandat janë shkatërruar, sot është e sigurt të ecësh në rrugët e Salvadorit, dhe niveli i vrasjeve ka rënë në nivelin më të ulët historik. Por 1 për qind e salvadorianëve janë tani prapa hekurave, shkalla më e lartë e të burgosurve në planet në raport me popullsinë.
Në qeli ndodhen edhe fëmijë 12 vjeç. Shumica presin ende të dënohen për ndonjë krim, dhe askush nuk e merr me mend se çfarë do të ndodhë me ta. Gjendja e emergjencës e shpallur në fillim për vetëm 1 muaj, po zgjat prej gati 2 vitesh, dhe qeveria nuk do të abuzonte asnjëherë me këto kompetenca emergjente, apo jo?
Në çdo rast, lufta e Ekuadorit kundër trafikut të drogës, ka sjellë rritjen drastike të popullatës së burgjeve gjatë viteve 2010. Kjo ka krijuar një terren shumë pjellor rekrutimi për bandat Lobos dhe Choneros. Dhe sot 1 në 3 të burgosur është anëtar i ndonjë bande.
Kërkesa për kokainë do të jetë gjithmonë e pranishme, ndaj a është legalizimi i saj një ide kaq shumë e çmendur? Sigurisht, vënia nën kontrollin e shtetit të këtij biznesi sot të paligjshëm, nuk do t’i eleminojë bandat. Megjithatë do t’i privojë ato nga një burim kritik, dhe nga një arsye për ekzistencën e tyre.
Vetëm disa vite më parë ishte e paimagjinueshme, por ligjvënësit në Kolumbi, Holandë dhe qytetin zviceran të Bernës, po mendojnë seriozisht për ndryshimin e taktikave në luftën kundër drogës. Për momentin, është më se e qartë se lufta kundër trafikut të drogës nuk po funksionon, dhe njerëzit në Ekuador po paguajnë një kosto shumë të madhe.