Opinion nga Timoni.al
Nga një student i panjohur në Vjenë, në një prej oligarkëve më të fuqishëm të Shqipërisë moderne – historia e Samir Manes është nga ato që në sipërfaqe frymëzon, por nën të fshihet një mozaik i errët që përfshin Sigurimin e Shtetit, fonde të fshehta, lidhje me pushtetin dhe partnerë të dyshimtë që kanë ndryshuar vetëm emrin e jo mënyrën e funksionimit.
Në vitin 1987, Samir Mane dërgohet për studime në Vjenë. Në një kohë kur regjimi i Ramiz Alisë ishte ende hermetik dhe vetëm bijtë e nomenklaturës ose bashkëpunëtorët e Sigurimit përfitonin nga privilegje të tilla, Mane arrin atë që për shumicën e shqiptarëve ishte e paimagjinueshme. Zyrtarisht, student. Jozyrtarisht – sipas dëshmive të afërta me familjen Alia – një agjent i vogël në shërbim të strukturave të regjimit.
Burime pranë Arben Borës (Alia), djalit të Ramiz Alisë, konfirmojnë se Mane nuk shkoi i vetëm. Ai ishte pjesë e një skeme më të gjerë financiare, që përfshinte transfertën e parave jashtë vendit përmes individëve që nuk ngjallnin dyshime në sytë e ndërkombëtarëve.
Prestanome i parave të fshehura nga Banka e Shqipërisë!
Në prag të rënies së regjimit, në Bankën e Shqipërisë fillon një “zhdukje e heshtur” fondesh. Një pjesë e tyre transferohen jashtë vendit përmes kanaleve të sigurta në Zvicër, ndërsa llogaritë hapen në emra të ndryshëm. Njëri prej tyre: Samir Mane.
Thuhej se kishte një ortak “sheik arab” – një figurë misterioze që nuk shfaqej asnjëherë publikisht. Por, sipas të njëjtave burime, pas këtij emri fshihej Ramiz Alia, dhe më vonë, djali i tij që kishte ndryshuar mbiemrin në “Bora” për të humbur çdo gjurmë të lidhjes direkte me diktatorin.
Pas rrëzimit të diktaturës, rrjeti që dikur vepronte nën hijen e Sigurimit kalon në një fazë të re – kontrolli i tregtisë dhe kapitalit në Shqipëri përmes “biznesmenëve të rinj”. Samir Mane ishte një ndër emrat kryesorë që filloi të ndërtonte sipërmarrje fillimisht në fushën e tregtisë me partnerë nga Serbia, ku ekzistojnë dyshime për lidhje me struktura të ngjashme mafioze që kontrollonin tregjet rajonale të mallrave të bardha dhe elektronikës.
Ai u ngrit shpejt, por jo pa ulje. Ka periudha të mjegullta në karrierën e tij, që përkojnë me skandale, hetime të heshtura dhe tërheqje taktike nga skena publike. Çdo herë kur binte, dikush e kthente sërish në lojë – kjo, sipas shumë analistëve, tregon për një fuqi të padukshme që i ka ruajtur shpinën në çdo regjim.
Faza e rritjes agresive të Manes përkon me periudhën kur Ridvan Bode ishte Ministër i Financave. TEG-u, një nga investimet më të mëdha komerciale në vend, mori leje dhe mbështetje në kohë rekord, në një terren ku ligji nuk ishte aspak i qartë dhe ku interesat e oligarkëve filluan të ndërthuren hapur me politikën.
Manovrat për leje, për mbështetje fiskale dhe për partneritete publike janë dëshmi e faktit se Mane nuk ishte më thjesht një biznesmen – ai ishte kthyer në një figurë kyçe që vendoste axhendën ekonomike të vendit.
Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, Samir Mane rifillon një fazë të re ekspansioni. Projektet e tij bëhen më të mëdha, ndërkohë që në fjalimet zyrtare qeveria përmend “investitorë strategjikë” nga Lindja e Mesme. Një prej tyre thuhet të jetë “ortaku arab i Manes”, që në fakt është e njëjta figurë misterioze e përmendur që në vitet ‘90.
Kjo fazë e re është e mbështetur nga një aleancë e heshtur me Arben Borën, tashmë i kamufluar nën petkun e një sipërmarrësi të qetë, por që vazhdon të ketë ndikim në prapaskenë. Ata bashkëpunojnë në projekte, ndajnë investime dhe menaxhojnë kapitale të mëdha që vijnë nga kanale që askush nuk i kontrollon realisht.
Historia e Samir Manes nuk është thjesht histori suksesi. Ajo është dëshmi se në Shqipëri, pasuria nuk lind nga ideja, por nga lidhja. Nga lidhja me Sigurimin, me Ramiz Alinë, me politikanët e tranzicionit dhe me regjimet që vijnë e shkojnë. Emra ndryshojnë, partnerë ndryshojnë, por rrjeti mbetet.
Dhe ndërsa publiku sheh fasadat e TEG-ut apo investimet në SHBA, prapa tyre është një histori që nis në vitin 1987 me një bursë të dyshimtë, dhe që ndoshta, ende nuk ka përfunduar.
SPAK: Samir Mane dyshohet se ‘korruptoi’ Monika Kryemadhin me një vilë në Rolling Hills
Samir Mane është një nga biznesmenët më të njohur dhe të suksesshëm në Shqipëri, i njohur për investimet e tij në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ai është themelues dhe drejtues i grupit “Balfin”, një nga grupet më të mëdha të investimeve në rajon. Aktivitetet e tij përfshijnë ndërtimin e qendrave tregtare si TEG dhe QTU, zhvillimin e pasurive të patundshme me projekte si Rolling Hills, Green Coast dhe Vala Mar, investime në industrinë e minierave, teknologji dhe tregti pajisjesh elektroshtëpiake. Grupi “Balfin” ka gjithashtu investime në disa vende të tjera të Ballkanit, duke e bërë Manen biznesmenin më të pasur në Shqipëri.
Sipas SPAK, marrëdhënia e Manes dhe Monika Kryemadhit shkon të paktën dy dekada pas. Në vitin 2007, Mane bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
Në nëntor 2023, SPAK kreu kontrollin e banesës së nënës së Monika Kryemadhit dhe sekuestroi disa telefona celularë si prova materiale. Nga ekspertiza kompjuterike e një telefoni të përdorur nga Monika Kryemadhi në periudhën 2013-2014, SPAK evidentoi biseda të kryera mes Kryemadhit dhe personave të ndryshëm, përfshirë Samir Mane dhe Eva Mane, që ngritën dyshime për marrëdhënie korrupsioni mes tyre.
“Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes rezulton se Monika ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës, për të zgjidhur probleme të ndryshme që Samir Mane ka pasur në lidhje me biznesin e tij,” shkruan SPAK.
Monika Kryemadhi ka pasur një seri komunikimesh me kreun e AKEP, Piro Xhixho, për dokumentet që duhej të përgatisnin Samir Mane dhe pronarja e Top Channel, Vjollca Hoxha, për të krijuar një kompani dhe për të lidhur një marrëveshje me Vodafone për trafikun e thirrjeve telefonike. Piro Xhixho gjithashtu e informonte Monikën për takimet dhe zhvillimet që kishin ndodhur lidhur me kompaninë Plus, aksioner i së cilës ishte Samir Mane.
Komunikimet vazhdojnë për çështje që kanë të bëjnë me licencat dhe marrëveshjet me kompanitë telefonike në Shqipëri, ku Piro Xhixho informon Kryemadhin për takime me përfaqësues të kompanive dhe ministrave të ndryshëm, duke e mbajtur të përditësuar për problemet dhe zhvillimet e sektorit të telekomunikacionit.
Sipas SPAK, del qartë se Samir Mane dhe përfaqësues të kompanisë Plus kërkonin ndihmën e Kryemadhit për të zgjidhur problemet me AKEP-in dhe operatorët e tjerë të tregut.
Xhixho përmend gjithashtu ndërmjetësimin e Ilir Metës, të cilin e referon si “Shefi”, për të zgjidhur çështjet e kompanisë Plus dhe për të mbajtur një balancë mes interesave të operatorëve kryesorë si Vodafone dhe AMC.
Kryemadhi ka ndërhyrë gjithashtu në emër të Manes tek ish-kryetari i Zyrës së Përmbarimit Tiranë për një procedurë të lidhur me kompaninë Albchrome, në atë kohë në pronësi të Manes.
Lobimi për ndryshimin e ligjit të minierave
Në vitin 2014, sipas dosjes së SPAK, më 6 tetor 2014, Samir Mane i kërkoi Monika Kryemadhit një takim urgjent në restorantin ‘Berlini’ në Tiranë. Tema e bisedës ishte projektligji “Për sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë.” Në vitin 2013, Samir Mane kishte blerë kompaninë Albchrome, koncesionarin e minierës më të madhe të kromit në Bulqizë.
Nga shqyrtimi i bisedave midis Monika Kryemadhit, Samir Manes dhe ish-deputetit të LSI-së Përparim Spahiu, SPAK ka konkluduar se ata kanë diskutuar amendimin e ligjit në favor të Albchrome. Sipas SPAK, ish-drejtori i Albchrome, Saimir Boka, deklaroi se kompania kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për servitutin e galerive dhe puseve vertikale, për të shmangur përgjegjësitë teknike nga kalimet e subjekteve të tjera në galeritë e Albchrome.
Mane ka dëshmuar në SPAK se nuk ka pasur marrëdhënie biznesi me Monika Kryemadhin dhe nuk u ka kërkuar atyre ndihmë. Lidhur me ndryshimet e ligjit për minierat, për të cilat Mane ka shkëmbyer mesazhe me Kryemadhin, ai tha se ishin pjesë e rolit të tij si anëtar i shoqatës së minierave. Sipas dokumenteve të SPAK, ligji u amendua bazuar në propozimet e ish-deputetes së PS-së, Esmeralda Shkjau, për nenet 19 dhe 27 të projektligjit.
Vila në Rolling Hills: ‘Duhet dhe hamam e sauna’
Si pasojë e ndërhyrjeve në favor të interesave të Samir Mane, për miratimin e ndryshimeve ligjore dhe administrative, Kryemadhi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme asete të patundshme, udhëtime jashtë shtetit dhe bileta koncerti.
“Shtetasja Monika Kryemadhi ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Samir Manen dhe bashkëshorten e tij Eva Mane,” shkruan SPAK. “Marrëdhënia e tyre përfshinte udhëtime në koncertin e këngëtares Beyoncé dhe argëtim në Disney në Paris, dreka në Angli, takime për kafe në Tiranë dhe vizita në shtëpinë e çiftit Mane në Rolling Hills, si dhe përfitimin e një vile nga Meta dhe Kryemadhi në kompleksin Rolling Hills,” shton organi i akuzës.
Fillimisht, Kryemadhi kishte diskutuar me Manen për të parë apartamente në katin e 17-të të pallatit Ambasador 3, por pasi vizitoi apartamentet dhe u konsultua me Eva Manen, vendosi të marrë një vilë në Rolling Hills.
Në 3 qershor 2014, Monika i shkroi Ilir Metës: “Eva Mane thotë jo tek pallati. Ka shumë njerëz dhe do ta bezdisin Ilirin,” duke shtuar se po shikonte diçka tjetër në Rolling Hills. Meta i është përgjigjur: “Ok. Duhet dhe hamam e sauna.”
Pas kësaj, Kryemadhi filloi të përhapte fjalën se do të lëvizte me qira tek vilat e Rolling Hills dhe angazhoi disa persona, përfshirë një arkitekt italian, për të kryer punimet.
SPAK pretendon se Monika Kryemadhi, në këmbim të ndikimit të paligjshëm në institucionet publike për favorizimin e biznesmenit Samir Mane, pranoi premtimin për të përfituar një vilë në Rolling Hills, identifikuar si vila nr. 103. Kjo vilë dhe punimet e kryera në të gjatë vitit 2014 nuk u deklaruan nga Kryemadhi si pasuri, çka sugjeron sipas SPAK se kjo pasuri do të përfitohej si rezultat i veprimtarive korruptive të Kryemadhit.
SPAK thekson se veprimtaria e paligjshme e Kryemadhit përfshin miratimin e amendimeve në ligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë,” ndërhyrjen në favor të Samir Mane në Zyrën e Përmbarimit dhe te kryetari i AKEP, Piro Xhixho, për të favorizuar kompaninë Plus Communications.
Pas ndërhyrjes së Metës, Kryemadhi hoqi dorë nga vila në Rolling Hills pasi mësuan se persona të tjerë, përfshirë ish-Ambasadori Grek në Tiranë, e kishin marrë vesh marrëveshjen. Vila më pas iu shit një blerësi tjetër.
“Ndaloni çdo punim tek Eva, ta them unë pse,” i shkruan Kryemadhi mikeshës së saj Ema Çoku, e cila po merrej me punimet, duke shtuar: “Jam me Ilirin. I kishte thënë ambasadori grek që do jemi komshi, prandaj ndaloni komplet, më tha asgjë mos bëni.”
Sipas SPAK, Mane dhe Kryemadhi kanë kryer në bashkëpunim elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve,” sipas nenit 260 të Kodit Penal. “Fakti që ata hoqën dorë nga përfitimi sepse marrëveshja u bë publike, nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale, pasi vepra e korrupsionit konsumohet që në fazën e premtimit apo pranimit të premtimit,” përfundoi SPAK.