Në Shqipëri, marrëdhënia mes disa mediave dhe pushtetit është si një fije e hollë merimange: sa kohë ushqehet me taksat e qytetarëve, qëndron e padukshme dhe e qetë. Por, mjafton që dikush të prekë fijet e saj, dhe e gjithë rrjeta shndërrohet në një grackë hakmarrjeje.
Rasti i fundit është goditja që Aleksandër Frangaj dhe televizioni i tij, Klan, po i bëjnë Skerdi Drenovës, drejtorit të ri të UKT-së. Arsyeja nuk është ndonjë aferë e freskët apo ndonjë skandal i ri. Jo. Shkaku është më i thjeshtë dhe më banal: sapo mori drejtimin e UKT-së, Drenova preu një rrjedhë të fshehtë pagesash që mbante me bukë disa gazetarë të Klanit, të punësuar si “këshilltarë” me paga publike. Skema ishte e turpshme: gjysmën e rrogës në Klan, gjysmën tjetër në UKT. Një sistem hibrid që, në fakt, e kishte kthyer ujin e pijshëm të qytetarëve në ujë të ndotur për të larë duart e Aleksandër Frangajt.
Dhe kur ky burim u mbyll, nisi përmbytja e sulmeve. Papritur, TV Klan zbuloi “problemet” e UKT-së, papritur u bënë investigativë e kritikë. Një farsë e zakonshme, ku media nuk vepron më si pasqyrë e realitetit, por si thikë e pronarit që ther aty ku i dhemb xhepi.
Kjo është poshtërsia më e madhe: kur ekrani kombëtar, që duhej të shërbente për publikun, kthehet në një skenë shantazhi personal. Frangaj nuk është duke mbrojtur qytetarët; është duke mbrojtur gjysmën e pagave që i merrte nga UKT përmes njerëzve të tij. Dhe sulmi ndaj Drenovës nuk është moral, as profesional, por thjesht hakmarrja e dikujt që i është këputur burimi i përfitimeve.
Le ta themi qartë: Drenova nuk është engjëll. Dosja e tenderave të tij është një tjetër histori e rëndë, për të cilën SPAK-u duhet të flasë. Por ajo që po ndodh sot me Klanin është një shembull i zhveshur i mënyrës sesi funksionon kapja e shtetit nga media: kur i ushqen, të ngrejnë në qiell; kur ua pret furnizimin, të zhysin në baltë.
Ky episod nuk është thjesht një konflikt personal mes një drejtori dhe një pronari televizioni. Është fotografia më e qartë e një realiteti ku media nuk jeton nga publiku, por nga gjaku i buxhetit të shtetit. Dhe kur ky gjak u ndërpritet, ata sillen si vampirë të plagosur, që kërkojnë viktima të reja për të thithur.
Në fund, pyetja është e thjeshtë: kush e paguan faturën? Qytetari shqiptar. Ai që paguan ujin e kripur, faturat e rritura, taksat e larta. Dhe mbi të gjitha, ai që paguan edhe spektaklin e neveritshëm të një televizioni që shitet si “zë i publikut”, por në të vërtetë nuk flet kurrë për publikun – flet vetëm për xhepin e Aleksandër Frangajt.















