Pas përfundimit të seancës së sotme për Erion Veliajn, avokati i tij, Plarent Ndreca, theksoi se kryebashkiaku i Tiranës nuk po merr mundësinë për t’u mbrojtur. Ndreca sqaroi se Veliaj nuk u paraqit në seancën e sotme pasi ende po e shqyrton dosjen e çështjes. Seanca e ardhshme është planifikuar për më 3 prill në orën 09:00.
Ai shpjegoi se procesi është masiv dhe se Veliajt nuk iu dha e drejta për t’u mbrojtur, duke e cilësuar lidhjen mes prokurorisë dhe mbrojtjes si një lidhje emocionale, pa asnjë marrëdhënie me rolin e prokurorit. Avokati theksoi se nuk ka strategji për të vonuar procesin, por vetëm për të njohur çështjen.
Ndreca shprehu shqetësimin se ai është ende i vetëm në këtë proces dhe se do të formojë një ekip ekspertësh për mbrojtjen e Veliajt. Ai kritikoi prokurorinë për pasivitetin e saj, duke e akuzuar se ka pasur të gjitha mjetet dhe burimet për të hetuar çështjen, ndërsa ata, si mbrojtje, nuk kanë ende akses në dosje.
Ai shprehu angazhimin për ta bërë këtë çështje publike dhe transparente, duke theksuar se Veliaj është i vendosur që të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve.















