Thesari i Shteteve të Bashkuara shpalli sanksione të enjten ndaj familjes shqiptare Hysa në Meksikë, nën akuzën se përdorin bizneset e kazinove dhe restoranteve për të pastruar para të kartelit Sinaloa. Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG) u godit pas një bashkëpunimi midis SHBA-së dhe Qeverisë së Meksikës. Nënsekretari i Thesarit, John K. Hurley, theksoi se dy vendet po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit dhe se ata që mbështesin kartelet do të mbahen përgjegjës.
Në listën e zezë janë përfshirë 27 individë dhe entitete, përfshirë anëtarët e familjes Hysa: Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa. Sipas Thesarit, ata e përdorin ndikimin e tyre dhe biznese të ndryshme për të pastruar para të ardhura nga trafikimi i drogës. SHBA beson se HOCG operon me lejen e kartelit Sinaloa, i cili mban kontrollin në zonat ku grupi kryen aktivitetet e tij.
Luftari Hysa, një nga anëtarët kryesorë të familjes, jeton midis Meksikës dhe Kanadasë dhe shfaqet shpesh në media për bizneset e familjes. Ai dhe anëtarët e tjerë janë akuzuar për pastrimin e parave përmes transportit të shumave të mëdha të parave të gatshme nga Meksika në SHBA, si dhe për përdorimin e bizneseve të tyre si mbulesë për aktivitete të paligjshme.
Pjesëmarrësit në këto aktivitete përfshijnë edhe Arbenin dhe Ramizin, të cilët janë të përfshirë në përdorimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze për pastrimin e parave nga shitja e narkotikëve. Sanksionet e shpallura nënkuptojnë se çdo aset i familjes Hysa në SHBA është i bllokuar dhe ata nuk mund të kryejnë transaksione pa miratimin e OFAC.
Personat dhe entitetet amerikane nuk mund të bëjnë biznes me ata pa licencë, dhe institucionet financiare që operojnë në sistemin amerikan duhet të ushtrojnë kujdes të veçantë për të shmangur bashkëpunimin me këto entitete. Kompania Entretenimiento Palmero, S.A. de C.V., nën pronësinë e Arbenit, është përmendur si qendrore në operacionet e HOCG-së.















