Shtëpia ku Marilyn Monroe kaloi ditët e fundit të jetës së saj në Brentwood është në rrezik shembjeje, pasi pronarët aktualë, Brina Milstein dhe Roy Bank, kërkojnë të prishin objektin. Milstein, e bija e një manjati të pasurive të patundshme, dhe Bank, producent i reality show-ve, blenë pronën vitin e kaluar për 8.4 milionë dollarë. Shtëpia ndodhet pranë një tjetër prone që çifti e zotëron prej 2016-ës dhe, pas blerjes, ata morën një leje prishjeje.
Megjithatë, një grup mbrojtësish të trashëgimisë kulturore arriti t’i bindë autoritetet e Los Angeles të shpallin shtëpinë si një monument historik, gjë që ndaloi procesin e prishjes. Pronarët aktualë po presin një vendim nga Gjykata e Lartë e Qarkut të Los Anxhelosit për të vazhduar më tej me planet e tyre. Ata do të dëshironin që prona të bashkohej me rezidencën që ata tashmë zotërojnë.
Avokati i çiftit, Peter Sheridan, ka argumentuar se shpallja si vend historik është problematike, duke theksuar se një numër i madh i personaliteteve të famshme kanë jetuar në Los Angeles. Në paditë e tyre, ata pretenduan se “nuk ka prova që Monroe kaloi një ditë të vetme atje”, duke vënë në dyshim vlerën historike të shtëpisë.
Marilyn Monroe bleu këtë shtëpi për 75,000 dollarë, një shumë që sot do të përfaqësonte rreth 800,000 dollarë. Ajo ishte shtëpia e saj e parë që nga divorcet me Joe DiMaggio dhe Arthur Miller, dhe gjatë qëndrimit atje fitoi një Golden Globe dhe realizoi performancën e saj të famshme për presidentin John F. Kennedy.
Përveç planit për ta prishur, Bank dhe Milstein kanë shprehur një interes për të ruajtur shtëpinë, duke sugjeruar mundësinë e zhvendosjes së saj në një vend më publik, për të shmangur invazionin nga turizmi dhe dronët që kanë pushtuar lagjen e tyre. E gjithë kjo situatë po zhvillohet në kontekstin e një debati më të gjerë mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytet.