Duket se denoncimet e shumta të publikuara nga portali ynë, Timoni.al, më në fund kanë dhënë rezultat. Drejtoresha famëkeqe e Spitalit të Librazhdit, Fatbardha Qatja, e cila për vite me radhë e trajtoi këtë institucion si pronën e saj private, është larguar përfundimisht nga detyra. Kjo lëvizje i jep fund një periudhe të errët për sistemin shëndetësor në Librazhd, duke hapur rrugën për rikthimin e transparencës dhe drejtësisë për dhjetëra punonjës të shkarkuar padrejtësisht nga kjo drejtoreshë arrogante dhe e paaftë.
Për vite me radhë, Spitali i Librazhdit nuk ka funksionuar si një institucion shëndetësor në shërbim të qytetarëve, por si një çiflig privat i drejtoreshës dhe klientelës së saj të ngushtë. Punësimet ishin të kushtëzuara nga ryshfeti dhe lidhjet politike, ndërsa mjekët dhe infermierët profesionistë përballeshin me presion dhe frikësime, që në shumë raste çuan në largime të padrejta nga puna. Për të mos përmendur skandalet e menaxhimit të fondeve dhe mungesën e shërbimeve bazë për pacientët, të cilët shpesh detyroheshin të drejtoheshin në spitale të tjera për trajtime të zakonshme.
Largimi i Fatbardha Qatjas nga ky post vjen vetëm dy muaj pasi ajo u shkarkua edhe nga detyra e Kryetares së Partisë Socialiste për qytetin e Librazhdit. Këto dy humbje të mëdha për të tregojnë qartë se rrjeti i saj i ndikimit dhe abuzimit me pushtetin po shembet. Por historia nuk mbaron këtu. Me daljen e saj nga skena e drejtimit, tashmë Qatja do të përballet me ligjin për të gjitha shkeljet e rënda që ka kryer gjatë kohës që drejtonte spitalin.
Kujtojmë se Timoni.al ka denoncuar prej muajsh abuzimet e saj, që nga largimet masive të njëanshme të punonjësve të ndershëm e deri te mënyra skandaloze e menaxhimit të spitalit. Jo vetëm kaq, por janë bërë edhe akuza të forta mbi praktikat e saj korruptive, ku punësimet e reja duket se nuk bëheshin pa një “peshqesh” të majmë për drejtoreshën. E gjithë kjo solli një revoltë të hapur mes stafit shëndetësor dhe qytetarëve, të cilët kërkonin largimin e saj me çdo kusht.
Tashmë që Qatja nuk është më në drejtim, pritet që autoritetet përkatëse të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të vënë drejtësinë në vend dhe për të ndëshkuar përgjegjësit e abuzimeve. Spitali i Librazhdit meriton të drejtohet nga njerëz profesionistë dhe të ndershëm, të cilët kanë prioritet shëndetin e qytetarëve dhe jo pasurimin personal apo lojërat politike.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt pastrimit të institucioneve publike nga individë të paaftë dhe të korruptuar. Por beteja për drejtësi nuk ka përfunduar. Timoni.al do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe të denoncojë çdo përpjekje për të rikthyer të njëjtat skema të vjetra korruptive. Qytetarët e Librazhdit meritojnë një spital që t’u shërbejë me dinjitet dhe profesionalizëm, jo një çerdhe korrupsioni dhe arrogancë pushteti.