Qarku i Shkodrës ka përjetuar përmbytje të mëdha, me qindra hektarë tokë të përmbytur nga reshjet e shiut. Deri në orën 15:30, situata përmblidhet si më poshtë:
Në Bashkinë Shkodër, punimet për montimin e urës “Bailey” vazhdojnë në fshatin Bardhaj. Strukturat e Emergjencave Civile janë të pranishme për të monitoruar zonat me prezencë uji. Bashkia Malësi e Madhe po përballet me probleme në fshatin Reze e Vështit, ku rruga e fshatit është e përmbytur, ndërsa pastrimi i kanaleve po kryhet në Kamicë, pranë Përroit të Thatë. Gjithashtu, në fshatin Vukpalaj, uji ka hyrë në një banesë, duke e bërë të nevojshme gatishmërinë e autoriteteve për ndërhyrje apo evakuim.
Në Bashkinë Fushë Arrëz, reshjet e shiut janë të vazhdueshme dhe kanë sjellë përkeqësimin e situatës në disa rrugë rurale. Njësitë administrative si Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali po përballen me dëmtime të rrugëve për shkak të vërshimit të ujërave. Në Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, forcat ushtarake kanë angazhuar mjet dhe tre efektivë për të ndihmuar në situatën e emergjencës, me prani uji që arrin deri 40 cm në rrugë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Ujërave, lumenjtë Drin, Buna, Kir dhe Gjadër, si dhe përrenjtë Glinë dhe Përroi i Thatë, kanë shënuar rënie të prurjeve dhe nivelit të ujit, megjithatë situata mbetet e vështirë për disa zona. Diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqet risk për dëmtime, ndërsa hidrovoret e Velipojës funksionojnë me kapacitet të plotë.
Furnizimi me energji elektrike në Shkodër është normal. Megjithatë, priten ndërprerje të pjesshme në zonën e Bushatit, për shkak të punimeve nga OST në linjën 110 kV. Emergjencat Civile dhe autoritetet lokale vazhdojnë të jenë në gatishmëri për të përballuar situatat emergjente që mund të shfaqen.















