Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka bojkotuar takimin e zhvilluar sot mes qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ku në fokus ishin politikat ekonomike dhe fiskale, përfshirë nismën e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për “Paqen Fiskale” apo Amnistinë Fiskale.
Takimi u organizua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama, dhe ishte planifikuar të mbahej sot, më 23 dhjetor, në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit (TOB).
Ftesa zyrtare iu ishte drejtuar përfaqësuesve të biznesit dhe dhomave të tregtisë, duke i ftuar të merrnin pjesë 2–3 anëtarë nga secila strukturë për të diskutuar mbi përmirësimin e klimës së biznesit dhe politikat fiskale të qeverisë.
Megjithatë, burime për Hashtag.al konfirmojnë se anëtarët e Bordit dhe Lidershipi i Dhomës Amerikane së Tregtisë kanë vendosur që ditën e djeshme të mos marrin pjesë në këtë takim.
Gjatë takimit me biznesin, kryeministri Edi Rama deklaroi se në janar të vitit të ardhshëm qeveria do të aplikojë “Paqen Fiskale”, një paketë që sipas tij synon të krijojë një kuadër më të drejtë fiskal në funksion të procesit të integrimit europian. Rama theksoi se kjo nismë do të shoqërohet edhe me ulje të tatimit mbi fitimin, duke e konsideruar atë si një lehtësi për bizneset.
Bojkotimi nga Dhoma Amerikane e Tregtisë vjen në një moment kur kjo nismë ka nxitur debate dhe rezerva në radhët e komunitetit të biznesit, veçanërisht lidhur me ndikimin e saj në konkurrencë, transparencë dhe barazi fiskale.















