Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi më 12 mars se vendi ka blerë raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina. Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, ai theksoi se Serbia ka tashmë një numër të konsiderueshëm raketash, ndërsa planifikon të shtojë edhe më shumë.
Sipas Vuçiç, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë integruar me sukses këto raketa në avionët luftarakë rusë MiG-29. Deklaratat e tij vijnë pas publikimit të një forumi ushtarak që tregon fotografi të avionëve serbë, disa prej të cilëve ishin të armatosur me raketat kineze CM-400. Ai gjithashtu njoftoi se këta avionë kishin një bombë ajrore LS-6, produkt tjetër kinez.
Vuçiç shkoi më tej duke thënë se raketat janë “tmerrësisht të shtrenjta”, por Serbia ka arritur të sigurojë një zbritje të vogël në çmim. Ai gjithashtu dha detaje për rrezatimin e raketave, që arrin nga 200 deri në 400 kilometra dhe theksoi fuqinë shkatërruese të tyre.
Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, reagoi ndaj blerjes duke thënë se Kroacia do të konsultohet me aleatët në NATO për këtë çështje. Ai shprehu shqetësimin për armët e reja në arsenalin serb, por shpresoi që ato të mos përdoren ndonjëherë kundër vendeve fqinje.
Edhe pse janë bërë paralajmërime nga Brukseli dhe Uashingtoni, Serbia po zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI), gjatë periudhës 2020-2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina, ndjekur nga Rusia dhe Franca.
Përgjigjur ndaj shqetësimeve të Kroacisë, Vuçiç theksoi se Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia dhe se vendi po përgatitet për mundësinë e ndonjë sulmi nga një aleancë e formuar mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Ai shprehu shqetësim për këtë situatë, duke e quajtur atë një kërcënim për sigurinë e Serbisë, sidomos pas nënshkrimit të një Deklarate për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova.















