Koment nga Timoni.al
Prej vitesh Samir Mane është paraqitur në publik si fytyra e biznesit të suksesshëm shqiptar, një njeri që gjoja arriti majat përmes përpjekjes, vizionit dhe shpirtit sipërmarrës. Ai ka ndërtuar një perandori që shtrihet nga ndërtimi te qendrat tregtare, nga resortet turistike te minierat, nga pasuritë e paluajtshme te partneritetet ndërkombëtare. Por pas fasadës së këtij suksesi të importuar nga marketingu, fshihet një realitet i errët, ku bashkëpunimi me politikën, përfitimet nga shteti dhe pastrimi i parave janë hallka thelbësore të modelit Mane. Ai nuk është një shembull i tregut të lirë, por i tregut të kapur, ku përfitimet janë rezultat i lidhjeve të ngushta me pushtetin dhe jo i konkurrencës së ndershme.
Një nga rastet më ilustrative të kësaj lidhjeje është vila luksoze në Gjirin e Lalzit, ndërtuar nga kompania Mane TCI, pjesë e grupit Balfin. Kjo vilë rezulton të jetë ndërtuar për llogari të partneres së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, por asnjëherë nuk është regjistruar në emër të saj. Mënyra se si kjo pronë është ndërtuar, vlera e saj, mungesa e dokumentacionit ligjor të qirasë apo pronësisë dhe përdorimi ekskluziv nga një zyrtar publik e kthejnë këtë rast në një shembull klasik të korrupsionit të sofistikuar. Vila nuk është dhuratë, nuk është shitje, nuk është qira – është një formë shpërblimi e heshtur për një zyrtar që më parë ka lehtësuar me firmën e tij projektet strategjike të grupit Balfin.
Kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Përkundrazi, është pjesë e një modeli të përsëritur ku kompania në fjalë shfaqet si ndërtuese e pronave që përfundojnë në përdorim të njerëzve të pushtetshëm pa lënë gjurmë financiare. Ky model korruptiv është shumë më i sofistikuar se ryshfeti klasik: nuk ka zarf, nuk ka llogari bankare të ekspozuara, nuk ka transferte direkte – por ka prona të ndërtuara dhe dhënë në përdorim si shpërblim për favore politike.
Përtej kësaj, analiza e mënyrës si Samir Mane ka zgjeruar aktivitetin e tij ekonomik tregon një ndërthurje të fuqishme me politikat shtetërore. Në shumë raste, lejet e ndërtimit janë dhënë në kohë rekord, planifikimet urbanistike janë ndryshuar për t’i hapur rrugë investimeve të tij, tokat publike janë kthyer në pronësi private nën pretekstin e “zhvillimit ekonomik” apo investimit strategjik. Investimet në Palasë, në Jugun e Shqipërisë, janë bërë në tokë bregdetare të mbrojtur me vendime të dyshimta dhe me mungesë transparence të plotë për përfituesin final. E njëjta gjë vlen për qendrat tregtare në Tiranë, për zhvillimet urbane në Durrës dhe për planet për pjesëmarrje në transformimin e portit të Durrësit. Të gjitha këto nuk janë marrë nëpërmjet konkurrencës reale ose garës së hapur, por përmes vendimmarrjes së centralizuar politike që e ka favorizuar gjithmonë grupin Balfin, duke i mbyllur dyert të tjerëve.
Struktura financiare e kompanive të grupit Balfin përforcon më tej dyshimet. Shumë prej kompanive janë të lidhura me juridiksione si Holanda apo Qipro, ku pronësia reale nuk është e detyrueshme të bëhet publike. Në raste të shumta, kapitalet që hyjnë në Shqipëri për investime nuk shoqërohen nga raportime të detajuara të origjinës së tyre. Janë regjistruar transaksione në miliona euro të injektuara nga kompani që nuk kanë aktivitet të dukshëm ekonomik, çka përputhet me praktikat e pastrimit të parave që përdorin kompani guackë si ura kalimi të kapitalit të paligjshëm. Një pjesë e konsiderueshme e investimeve në ndërtim, në qendra tregtare apo në blerje pronash luksoze, vjen nga burime të paverifikueshme dhe për të cilat nuk ekzistojnë auditime të pavarura, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi burimin e këtyre fondeve.
Samir Mane ka shfaqur një aftësi të rrallë për të qëndruar pranë çdo qeverie, pavarësisht ngjyrës politike. Ai ka marrë mbështetje institucionale nga të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet, duke e kthyer veten në një faktor të pandashëm të sistemit të vendimmarrjes ekonomike. Të gjitha qeveritë që kanë ardhur në pushtet kanë vazhduar të favorizojnë projektet e tij, duke treguar se lidhja e tij me politikën nuk është rastësore apo pragmatike, por strategjike dhe afatgjatë. Ai është kthyer në një “garant” të pasurive të përbashkëta të politikës dhe një garantues të heshtjes së saj. Në këtë mënyrë, ai ka siguruar paprekshmërinë që shumë të tjerë nuk e kanë.
Në mënyrë të çuditshme, ai ka kaluar pa asnjë hetim penal, pa asnjë kontroll të pasurisë së tij, pa asnjë analizë nga strukturat e kontrollit shtetëror. Kjo heshtje totale nga prokuroria, tatimet, KLSH-ja apo Drejtoria e Pastrimit të Parave është tregues i qartë se ai gëzon mbrojtje të plotë institucionale. Kjo mbrojtje nuk është dhuratë – ajo blihet me ndikim, me favore, me prona të ofruara në heshtje dhe me shërbime që nuk lihen në letra. Kjo e bën Samir Manen jo vetëm të pasur, por të pathyeshëm, një njeri që e përdor biznesin jo për të prodhuar, por për të ricikluar parasë politike dhe për të legjitimuar pasurinë e klasës politike shqiptare.
Rasti i tij nuk është i vetmi, por është ndër më të pasurit dhe më të sofistikuarit. Ai përfaqëson një model ku oligarku dhe politikani nuk qëndrojnë më në dy anë të ndryshme të barrikadës, por bëhen partnerë në zhvatje. Ai nuk është “biznesmen i suksesit”, por një instrument i pushtetit për të shpërndarë dhe pastruar fitimet e korrupsionit. Ai është lavatriçja moderne e parasë së pistë, një strukturë që e mban në këmbë sistemin politik aktual, që ushqen klientelizmin dhe bllokon zhvillimin e një tregu të vërtetë, të lirë dhe të barabartë për të gjithë.
Për sa kohë struktura të tilla do të konsiderohen si “sukses ekonomik”, Shqipëria nuk do të ketë asnjë mundësi të ndërtojë një sistem të ndershëm ekonomik. Dhe për sa kohë drejtësia nuk ka guxim të hetojë, analizojë dhe ndëshkojë këto skema, vendi do të vazhdojë të rrëshqasë në një model ku pushteti politik dhe ai ekonomik mbeten një binom i pandashëm, që pasuron veten duke varfëruar shoqërinë. Samir Mane nuk është vetëm problem i ekonomisë – ai është simptomë e thellë e kapjes së shtetit dhe pengesë serioze për çdo përpjekje reale për drejtësi dhe zhvillim.
SPAK: Samir Mane dyshohet se ‘korruptoi’ Monika Kryemadhin me një vilë në Rolling Hills
Samir Mane është një nga biznesmenët më të njohur dhe të suksesshëm në Shqipëri, i njohur për investimet e tij në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ai është themelues dhe drejtues i grupit “Balfin”, një nga grupet më të mëdha të investimeve në rajon. Aktivitetet e tij përfshijnë ndërtimin e qendrave tregtare si TEG dhe QTU, zhvillimin e pasurive të patundshme me projekte si Rolling Hills, Green Coast dhe Vala Mar, investime në industrinë e minierave, teknologji dhe tregti pajisjesh elektroshtëpiake. Grupi “Balfin” ka gjithashtu investime në disa vende të tjera të Ballkanit, duke e bërë Manen biznesmenin më të pasur në Shqipëri.
Sipas SPAK, marrëdhënia e Manes dhe Monika Kryemadhit shkon të paktën dy dekada pas. Në vitin 2007, Mane bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
Në nëntor 2023, SPAK kreu kontrollin e banesës së nënës së Monika Kryemadhit dhe sekuestroi disa telefona celularë si prova materiale. Nga ekspertiza kompjuterike e një telefoni të përdorur nga Monika Kryemadhi në periudhën 2013-2014, SPAK evidentoi biseda të kryera mes Kryemadhit dhe personave të ndryshëm, përfshirë Samir Mane dhe Eva Mane, që ngritën dyshime për marrëdhënie korrupsioni mes tyre.
“Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes rezulton se Monika ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës, për të zgjidhur probleme të ndryshme që Samir Mane ka pasur në lidhje me biznesin e tij,” shkruan SPAK.
Monika Kryemadhi ka pasur një seri komunikimesh me kreun e AKEP, Piro Xhixho, për dokumentet që duhej të përgatisnin Samir Mane dhe pronarja e Top Channel, Vjollca Hoxha, për të krijuar një kompani dhe për të lidhur një marrëveshje me Vodafone për trafikun e thirrjeve telefonike. Piro Xhixho gjithashtu e informonte Monikën për takimet dhe zhvillimet që kishin ndodhur lidhur me kompaninë Plus, aksioner i së cilës ishte Samir Mane.
Komunikimet vazhdojnë për çështje që kanë të bëjnë me licencat dhe marrëveshjet me kompanitë telefonike në Shqipëri, ku Piro Xhixho informon Kryemadhin për takime me përfaqësues të kompanive dhe ministrave të ndryshëm, duke e mbajtur të përditësuar për problemet dhe zhvillimet e sektorit të telekomunikacionit.
Sipas SPAK, del qartë se Samir Mane dhe përfaqësues të kompanisë Plus kërkonin ndihmën e Kryemadhit për të zgjidhur problemet me AKEP-in dhe operatorët e tjerë të tregut.
Xhixho përmend gjithashtu ndërmjetësimin e Ilir Metës, të cilin e referon si “Shefi”, për të zgjidhur çështjet e kompanisë Plus dhe për të mbajtur një balancë mes interesave të operatorëve kryesorë si Vodafone dhe AMC.
Kryemadhi ka ndërhyrë gjithashtu në emër të Manes tek ish-kryetari i Zyrës së Përmbarimit Tiranë për një procedurë të lidhur me kompaninë Albchrome, në atë kohë në pronësi të Manes.
Lobimi për ndryshimin e ligjit të minierave
Në vitin 2014, sipas dosjes së SPAK, më 6 tetor 2014, Samir Mane i kërkoi Monika Kryemadhit një takim urgjent në restorantin ‘Berlini’ në Tiranë. Tema e bisedës ishte projektligji “Për sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë.” Në vitin 2013, Samir Mane kishte blerë kompaninë Albchrome, koncesionarin e minierës më të madhe të kromit në Bulqizë.
Nga shqyrtimi i bisedave midis Monika Kryemadhit, Samir Manes dhe ish-deputetit të LSI-së Përparim Spahiu, SPAK ka konkluduar se ata kanë diskutuar amendimin e ligjit në favor të Albchrome. Sipas SPAK, ish-drejtori i Albchrome, Saimir Boka, deklaroi se kompania kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për servitutin e galerive dhe puseve vertikale, për të shmangur përgjegjësitë teknike nga kalimet e subjekteve të tjera në galeritë e Albchrome.
Mane ka dëshmuar në SPAK se nuk ka pasur marrëdhënie biznesi me Monika Kryemadhin dhe nuk u ka kërkuar atyre ndihmë. Lidhur me ndryshimet e ligjit për minierat, për të cilat Mane ka shkëmbyer mesazhe me Kryemadhin, ai tha se ishin pjesë e rolit të tij si anëtar i shoqatës së minierave. Sipas dokumenteve të SPAK, ligji u amendua bazuar në propozimet e ish-deputetes së PS-së, Esmeralda Shkjau, për nenet 19 dhe 27 të projektligjit.
Vila në Rolling Hills: ‘Duhet dhe hamam e sauna’
Si pasojë e ndërhyrjeve në favor të interesave të Samir Mane, për miratimin e ndryshimeve ligjore dhe administrative, Kryemadhi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme asete të patundshme, udhëtime jashtë shtetit dhe bileta koncerti.
“Shtetasja Monika Kryemadhi ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Samir Manen dhe bashkëshorten e tij Eva Mane,” shkruan SPAK. “Marrëdhënia e tyre përfshinte udhëtime në koncertin e këngëtares Beyoncé dhe argëtim në Disney në Paris, dreka në Angli, takime për kafe në Tiranë dhe vizita në shtëpinë e çiftit Mane në Rolling Hills, si dhe përfitimin e një vile nga Meta dhe Kryemadhi në kompleksin Rolling Hills,” shton organi i akuzës.
Fillimisht, Kryemadhi kishte diskutuar me Manen për të parë apartamente në katin e 17-të të pallatit Ambasador 3, por pasi vizitoi apartamentet dhe u konsultua me Eva Manen, vendosi të marrë një vilë në Rolling Hills.
Në 3 qershor 2014, Monika i shkroi Ilir Metës: “Eva Mane thotë jo tek pallati. Ka shumë njerëz dhe do ta bezdisin Ilirin,” duke shtuar se po shikonte diçka tjetër në Rolling Hills. Meta i është përgjigjur: “Ok. Duhet dhe hamam e sauna.”
Pas kësaj, Kryemadhi filloi të përhapte fjalën se do të lëvizte me qira tek vilat e Rolling Hills dhe angazhoi disa persona, përfshirë një arkitekt italian, për të kryer punimet.
SPAK pretendon se Monika Kryemadhi, në këmbim të ndikimit të paligjshëm në institucionet publike për favorizimin e biznesmenit Samir Mane, pranoi premtimin për të përfituar një vilë në Rolling Hills, identifikuar si vila nr. 103. Kjo vilë dhe punimet e kryera në të gjatë vitit 2014 nuk u deklaruan nga Kryemadhi si pasuri, çka sugjeron sipas SPAK se kjo pasuri do të përfitohej si rezultat i veprimtarive korruptive të Kryemadhit.
SPAK thekson se veprimtaria e paligjshme e Kryemadhit përfshin miratimin e amendimeve në ligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë,” ndërhyrjen në favor të Samir Mane në Zyrën e Përmbarimit dhe te kryetari i AKEP, Piro Xhixho, për të favorizuar kompaninë Plus Communications.
Pas ndërhyrjes së Metës, Kryemadhi hoqi dorë nga vila në Rolling Hills pasi mësuan se persona të tjerë, përfshirë ish-Ambasadori Grek në Tiranë, e kishin marrë vesh marrëveshjen. Vila më pas iu shit një blerësi tjetër.
“Ndaloni çdo punim tek Eva, ta them unë pse,” i shkruan Kryemadhi mikeshës së saj Ema Çoku, e cila po merrej me punimet, duke shtuar: “Jam me Ilirin. I kishte thënë ambasadori grek që do jemi komshi, prandaj ndaloni komplet, më tha asgjë mos bëni.”
Sipas SPAK, Mane dhe Kryemadhi kanë kryer në bashkëpunim elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve,” sipas nenit 260 të Kodit Penal. “Fakti që ata hoqën dorë nga përfitimi sepse marrëveshja u bë publike, nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale, pasi vepra e korrupsionit konsumohet që në fazën e premtimit apo pranimit të premtimit,” përfundoi SPAK.