Koment nga Timoni.al
Në ditën kur bota përcolli Papa Françeskun drejt amshimit, një nga njerëzit më të kontestuar të tranzicionit shqiptar, Samir Mane, postoi një foto me Atin e Shenjtë në rrjetet sociale. Një imazh që në pamje të parë synon të përcjellë respekt, por që në thelb përfaqëson një kontrast të dhimbshëm: morali hyjnor i përfaqësuar nga Papa dhe pastrimi i parave i përfolur prej vitesh si thelbi i perandorisë së biznesit të Manes.
Mane, që sot reklamohet si “sukses story” i kapitalizmit shqiptar, është në fakt produkt i një tranzicioni të kalbur, ku politika dhe biznesi ndajnë të njëjtën dorë të zezë. Nga minierat në Bulqizë te vilat luksoze në Rolling Hills, nga pazaret me telefoninë e Kryemadhit te fshehja e pasurive në emër të të tjerëve, gjithçka përshkon një rrjet të dendur marrëdhëniesh klienteliste që e kanë mbajtur Shqipërinë peng për dekada.
Përmes dosjes së SPAK është ndriçuar një pjesë e errët e këtij rrjeti, ku Mane dhe familja Meta-Kryemadhi kanë ndarë favore, pasuri dhe ndikim. Me ndihmën e politikës, Mane nuk është bërë vetëm i pasur, por i paprekshëm.
Por kur një figurë si Papa Françesku, simbol i drejtësisë dhe përulësisë, bëhet sfond për imazhe që përdoren për të larë mëkatet e tranzicionit, ajo që bëhet pis nuk është vetëm një foto — është ndërgjegjja kolektive. Në një vend ku paratë e pista pastrohen me imazhe të shenjta, ajo që mbetet e ndotur është besimi ynë.
Dora e Samir Manes mund të shtrihet deri te Papa, por historia do të mbajë shënim se kush i përdori shenjtët për të fshehur mëkatet e veta. Dhe kjo dritë që sot vjen nga Vatikani, ndriçon më fort errësirën që për dekada është mbuluar me para.
Mes këtyre pamjeve, një foto e shpërndarë nga Samir Mane – një nga biznesmenët më të pasur dhe më të përfolur të tranzicionit shqiptar – shkaktoi neveri te shumë qytetarë. Mane postoi një imazh pranë Atit të Shenjtë, duke u përpjekur të vishej me aureolën e moralit dhe përulësisë, ndërkohë që mbi të rëndojnë hije të rënda korrupsioni, pastrimi parash dhe lidhje të dyshimta me politikën më të korruptuar të këtyre 35 viteve.
Samir Mane nuk është thjesht një biznesmen i pasur. Ai është simboli i një elite ekonomike që u ngrit jo falë vizionit, por falë lidhjeve me politikën, klientelizmit dhe kapjes së shtetit. Nga ndërtimi i qendrave tregtare si TEG e QTU, tek resortet luksoze në bregdet, nga minierat e Bulqizës te kompanitë e telefonisë mobile, çdo hap i Manes është shoqëruar me ndërhyrje politike, marrëveshje të errëta dhe favore që mbajnë erën e korrupsionit.
Dhe për herë të parë, këto nuk janë më vetëm përfolje. Janë fakte të dokumentuara në dosjet e SPAK. Hetimet e thelluara ndaj marrëdhënieve të Manes me Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën zbuluan një rrjet të mirëfilltë të ndikimit të paligjshëm dhe përfitimeve të ndërsjella.
Në vitin 2007, Samir Mane bleu një banesë në Qerret nga Ilir Meta për 300 mijë euro në “cash”, ndonëse Meta e kishte blerë vetëm 5 vite më parë për 60 mijë dollarë. Asnjë nga palët nuk e deklaroi këtë transaksion në deklaratat e pasurisë. Më pas, në vitin 2021, e njëjta banesë u rishit për vetëm 80 mijë euro gazetarit Baton Haxhiu. Një zinxhir i qartë transaksionesh të dyshimta.
Më tej, nga ekspertiza e një telefoni të përdorur nga Monika Kryemadhi në vitet 2013–2014, SPAK dokumentoi dhjetëra biseda me Samir Manen dhe bashkëshorten e tij, Eva Mane, që hedhin dritë mbi një marrëdhënie të ngushtë dhe të sistemuar ndihmash dhe ndërhyrjesh në favor të bizneseve të Manes. Nga këto komunikime rezulton se Kryemadhi, duke përdorur pozitën e saj si deputete dhe si bashkëshorte e një politikani me pushtet të madh si Ilir Meta, ndërhynte në institucionet shtetërore për t’i zgjidhur probleme Manes.
Një nga rastet më të rënda është ndërhyrja për kompaninë telefonike Plus Communications, ku Mane ishte aksioner. Përmes kontakteve me Piro Xhixhon, kryetar i AKEP në atë kohë, Monika Kryemadhi ndërmjetësonte për marrëveshje të favorshme për Manen me operatorët e tjerë dhe kompaninë Vodafone. Gjithçka bëhej në heshtje, përmes ndikimit politik, pa asnjë transparencë ligjore apo konkurrencë të ndershme.
Një tjetër episod skandaloz përfshin ndërhyrjet e Manes dhe Kryemadhit për të ndryshuar ligjin për sektorin minerar në vitin 2014. Sipas SPAK, Mane kishte blerë kompaninë Albchrome, që zotëronte minierën më të madhe të kromit në Bulqizë. Për të shmangur detyrimet teknike dhe për të siguruar kontroll të plotë mbi galeritë dhe pasuritë minerare, Mane i kërkoi Kryemadhit ndërhyrje për ndryshimin e ligjit. Takime urgjente u zhvilluan në restorante si “Berlini” në Tiranë, ku u dakordësuan amendamente që më pas u shtynë për miratim në Kuvend nga deputetë të LSI-së dhe PS-së.
Si shpërblim për këtë shërbim, SPAK ka identifikuar përfitime të drejtpërdrejta për Kryemadhin dhe Metën, përfshirë një vilë luksoze në Rolling Hills – kompleks i ndërtuar nga grupi i Manes. Kryemadhi diskutonte me Manen dhe bashkëshorten e tij për dizajnin, vendndodhjen dhe punimet e vilës. Në një komunikim të kapur nga hetimi, Meta i shkruante Kryemadhit: “Duhet dhe hamam e sauna.” E gjitha kjo në një kohë kur pasuria nuk deklarohej dhe çdo gjurmë fshihej nën petkun e “marrëveshjeve private”.
Në fund, kur marrëveshja për vilën u bë publike dhe ambasadorë të huaj u informuan për përfitimin e paligjshëm, Kryemadhi dhe Meta u tërhoqën për të shmangur skandalin. Por, siç thotë SPAK, krimi ishte konsumuar që në momentin e pranimit të premtimit.
Dhe sot, një njeri si Samir Mane – simbol i kësaj lidhjeje të kalbur mes parasë, pushtetit dhe politikës – vendos të shfaqet përkrah Papës, si për të pastruar mëkatet në publik, ndërsa vazhdon të ndotë themelet e shtetit dhe ekonomisë.
Nuk ka imazh, sado i shenjtë të jetë, që mund të pastrojë duart që kanë larë para të korrupsionit. Dhe kur dorën e Papës e prek një dorë e zezë si ajo e Samir Manes, nuk është Papa që ndyhet – është shoqëria jonë që duhet të zgjohet dhe të kuptojë kush i ka vjedhur moralin, drejtësinë dhe të ardhmen për 35 vite rresht.