Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ndodhet sot në Lezhë në takim me demokratët, ndërkohë që kreu i PD, Sali Berisha ndodhet në zonën e Kombinatit me “foltoren” e tij.
Duke folur për qëllimin e tij, reformimin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji u shpreh se nuk do të krijojë asnjëherë parti tjetër politike dhe se PD është shtëpia e tij. Ish-deputeti zotohet për të sjellë ndryshimin në opozitë, veprime dhe deklarata këto që gjithmonë janë lexuar si tentativa apo hapa para për t’i zënë vendin Berishës.
“Kemi 13 vite që themi Edi Ram do të rrëzohet pas 1 muaji. Thonë qe Rama nuk mundet me zgjedhjet duke demotivuar votuesin. Thonë që duhet të bashkohemi dhe sjellin përçarje. Thonë që do të hapemi dhe asaj thonë nuk na duhen as këta që kemi. Njerëzit e trembur nga humbja e privilegjeve të pushtetit të opozitës çfarë nuk thonë. Unë jam lindur në PD. Për këto që e gënjen mendja, unë nuk krijoj parti tjetër politike. Shtëpia ime politike është PD, PD dhe ta ndryshojmë dhe do ta bëjmë fituese”, tha Salianji.















