TIRANA- Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të kopshtarit të “Golden Resort”, Festim Bexhdili, i akuzuar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Bexhdili u dënua me burgim përjetë nga GJKKO, por dosja u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar), më datë 25.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 63/5 akti, datë 08.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin F.B. – disponuar mbi ankimet e paraqitura ndaj vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
– U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2025.
Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, çfarë dihet
Çfarë paraqesin pamjet filmike?
Sipas SPAK, në pamjet filmike të kompleksit “Golden”, shihet momenti kur trupi i Jan Prengës transportohet nga një automjet në një tjetër, ngjarje që ndodh në garazhin e kompleksit. Po sipas SPAK, Festim Bexhdili ishte prezent në këtë moment dhe më pas është larguar së bashku me persona të tjerë të përfshirë në rrëmbim. Kompleksi “Golden” rezulton të jetë pika kyçe në këtë çështje, ndërsa Prokuroria e Posaçme pretendon se aty u mbajt dhe më pas u zhduk trupi i Jan Prengës.
Jan Prenga
Jan Prenga u rrëmbye në 17 janar 2020. Urdhri për rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit Jan Prenga dyshohet se ka ardhur nga një burg në Ekuador, ku vuante dënimin shqiptari Dritan Rexhepi. Ky i fundit është një emër i njohur nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për vrasjen e disa policëve në Krujë ndërsa pas krimit u arratis. Gjithashtu në 2014-n ai u arrestua me 240 kg kokainë në Ekuador.
Ndërkohë që për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 17 janar në Kamzë, hetuesit shqiptarë zbuluan përgjimet telefonike nga Ekuadori, lidhur me sasinë e kokainë që do të transportohej nga Amerika Latine në Britani. Kokaina u mor për t’u transportuar nga vëllai i viktimës, Astrit Prenga, i cili nuk e dorëzoi kurrë dhe në formë hakmarrje u vendos rrëmbimi dhe më pas vrasja e Jan Prengës.















