Cristiano Ronaldo nuk do të largohet nga Arabia Saudite. Në një kthesë të papritur të ngjarjeve, superylli portugez thuhet se ka rinovuar kontratën me Al Nassr, duke mbyllur përfundimisht spekulimet për një transferim të mundshëm në Evropë apo gjetkë.
Lajmi është bërë publik nga portali francez Foot Mercato, i cili konfirmon se marrëveshja e re mes pesë herë fituesit të Topit të Artë dhe klubit saudit është tashmë e firmosur, edhe pse ende nuk janë zbuluar detajet e reja financiare të kontratës.
Pak ditë më parë, Ronaldo nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale kishte dhënë një mesazh se aventura e tij në Arabinë Saudite mund të ishte drejt fundit.
Postimi i tij, u interpretua gjerësisht si një paralajmërim për largim, ndërsa mediat evropiane nisën të spekulojnë mbi rikthimin e tij të mundshëm në futbollin elitar të kontinentit të vjetër.
Por duket se realiteti është krejt ndryshe: CR7 dhe Al Nassr jo vetëm që kanë konfirmuar vazhdimësinë e bashkëpunimit, por e kanë zyrtarizuar atë me një kontratë të re, që pritet të përfshijë kushte financiare edhe më të favorshme për portugezin.
Ronaldo aktualisht është lojtari më i paguar në botë, me një pagë që kap vlerën marramendëse të 200 milionë eurove në vit, përfshirë pagën bazë dhe marrëveshjet komerciale, që ka me klubin arab.