TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një reagimi ka përshëndetur rezolutën e IDC-CDI, ku sipas tij 108 parti rrëzuan zgjedhjet e mbajtura më 11 maj.
Meta shkruan se këto zgjedhje nuk përmbushën asnjë standard ndërkombëtar dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit. Kreu i PL-së shprehet se vlerëson mesazhet e IDC-CDI për domosdoshmërinë e zbatimit me urgjencë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Ai thekson se pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë kurrë integrim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
POSTIMI I PLOTË:
Përshëndes dhe mbështes plotësisht Rezolutën shumë të rëndësishme të organizatës politike më të madhe në botë, IDC-CDI, ku 108 parti rrëzuan farsën elektorale të 11 Majit!
Këto zgjedhje të kriminalizuara nuk përmbushën asnjë standard ndërkombëtar dhe shkelën dhunshëm kriteret e Kopenhagenit dhe unë e përkrah me vendosmëri vendimin e IDC-CDI për të dënuar manipulimin e procesit zgjedhor përmes kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve; përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës; pandëshkueshmërinë institucionale ndaj krimeve zgjedhore.
Vlerësoj lart mesazhet shumë të qarta të IDC-CDI për domosdoshmërinë e zbatimit me urgjencë të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR, për ndërprerjen e përndjekjes politike dhe rikthimin e të drejtave të plota për liderët e opozitës, si dhe për krijimin e një qeveri teknike, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja.
Pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë kurrë integrim të Shqipërisë në familjen europiane!
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Filirmetazyrtar%2Fposts%2Fpfbid0mRHuBPbqxNxih4nYqkAJqxMXfjL5h6A1Ez2XsXMMPrMQqa1kRJDDiVLsGZMrddXil&show_text=true&width=500
Rezolutë mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës.
Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.
Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),
Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,
Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,
Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,
Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:
•Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):
Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.
•Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):
Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.
•Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):
Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që “shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet”.
•Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.
•Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;
•Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.
•Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.
IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:
•Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;
•Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;
•Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.
IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:
Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;
Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;
Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;
Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.
IDC-CDI:
•Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;
•U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;
•I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;
•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.
Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025