Një rënie e ndjeshme e importeve, për shkak të politikave tarifore të presidentit Donald Trump, ka ndihmuar në rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara gjatë tremujorit prill–qershor. Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, ekonomia u rrit me një ritëm vjetor prej 3%, pas një tkurrjeje në fillim të vitit. Rimëkëmbja ka qenë më e fortë se sa pritej dhe reflekton luhatjet në tregti, si dhe nxitimin e bizneseve për të importuar mallra përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim nuk është domosdoshmërisht tregues i forcës së qëndrueshme të ekonomisë. BBC raportoi se presidenti Trump përdori këto të dhëna për të kritikuar kreun e Rezervës Federale, Jerome Powell, në prag të një vendimi mbi normat e interesit. Ai e quajti Powell “Z. Tepër Vonë” dhe bëri thirrje për uljen e normave, duke theksuar se shifrat janë më të mira se pritshmëritë dhe se s’ka inflacion.
Megjithatë, analistët mendojnë se këto të dhëna mund t’i japin më shumë arsye bankës qendrore për të qendruar e kujdesshme. Sipas Bernard Yaros, ekonomist në Oxford Economics, stabiliteti ekonomik mund ta ndihmojë Rezervën Federale të presë dhe të vlerësojë ndikimin e tarifave para se të veprojë në dhjetor. Ndërkohë, një tregues i rëndësishëm i shpenzimeve dhe investimeve të konsumatorëve ka rënë nga 1.9% në 1.2%, duke reflektuar më realisht gjendjen aktuale të ekonomisë. Yaros nënvizon se “nën sipërfaqe, ekonomia po ecën më ngadalë, por ende nuk është në rënie”.















